Telegrafi

Blendi Fevziu në Prishtinë për të diskutuar rreth burrështetasve shqiptarë

Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha janë dy figura të historisë së re të Shqipërisë që kanë lënë shenja në traditën shtet formuese të Shqipërisë. Për shkak të përplasjeve ideologjike, për shumë kohë historia e këtyre dy burrështetasve shqiptarë ishte një mister me shumë të panjohura, ndërsa për dekada me radhë historia e tyre u shkrua nën llupën e preferencave ideologjike.
Gazetari, publicisti dhe shkrimtari Blendi Fevziu , autor i librave “Enver Hoxha” dhe “Ahmet Zogu – Presidenti që u bë Mbret”, vjen në Prishtinë për të diskutuar rreth:
– rolit të Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës në formimin e traditës institucionale të Shqipërisë,
– anën e panjohur të dy burrështetasve,
– rivalitetin mes tyre dhe politikat e tyre në raport me shqiptarët jashtë Shqipërisë,
– si dhe për të shtruar pyetjet nëse Shqipëria ka ngelur peng i dy traditave institucionale të krijuara nga Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha dhe a ka Shqipëria sot një figurë që mund të quhet burrështetas?
Diskutimi zhvillohet të premten, 6 shkurt 2015, ora 13, në amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare.
Ky diskutim është i dyti më radhë në serinë e diskutimeve që do të organizohen deri në muajin Qershor, kur edhe mbahet Panairi i 17-të i librit në Prishtinë. Qëllimi i këtyre diskutimeve është promovimi i debatit për librin si dhe përgatitja e opinionit publik për panairin e sivjetshëm të librit në Prishtinë.