Site icon Telegrafi

Blegtoria në krizë, fermerët nuk gjejnë punëtorë edhe me pagesë 30 euro në ditë

Ndonëse në Kosovë shkalla e papunësisë është e lartë,  në disa sektorë, veçmas në atë të bujqësisë, thuhet se ka mungesë të fuqisë punëtore.

Në Ramnishtë të Vitisë dy fermerë të cilët kanë mbi 70 krerë lopë thonë se për shkak të mungesës së punëtorëve po rrezikojnë të mbyllin fermat e tyre.

Edhe keqpërdorimet me subvencione po shtyjnë fermerët të heqin dorë nga biznesi me bagëtitë.

Osman Fetahu është kthyer nga mërgimi për të investuar në vendlindje, por është zhgënjyer.

Ai thotë se nuk ka ndihmë nga Ministria e Bujqësisë derisa mungon edhe fuqia punëtore në Kosovë.

“Jam shumë i dëshpëruar. Çmimi i qumështit ka rënë përtokë. Në krahasim me vitin e kaluar ka rënie të çmimit deri në 9 cent për litër”, deklaron Osman Fetahu për RTV 21, përcjell Telegrafi.

Fermeri tjetër nga ky fshat Heset Zeneli thotë se po ka shumë vështirësi të gjej punëtorë.

“Kemi pasur shumë shpresë për bujqësi por tash bujqësinë nuk po e duan. Jemi duke punuar vetëm me familje. Nuk po mund të gjejmë punëtorë. Edhe nëse ja jep 30 euro në ditë nuk po vjen. Nuk po e duan bujqësinë”.

Këta fermerë mendojnë se mungesa e punëtorëve që nuk ka qenë problem deri vonë, po kthehet në problem për zhvillimin e blegtorisë në Kosovë.

Exit mobile version