Site icon Telegrafi

Bledian Krasniqi dhe Vesel Demaku, do të jenë dy prurjet e reja të Franco Fodas te Kosova për ndeshjet e marsit

Kosova do të ketë dy përballje me Islandën për një vend në Ligën B të Kombeve, ndërsa përzgjedhësi i Dardanëve, Franco Foda, në ditët në vijim pritet të publikojë listën. 

Lista për ndeshjet e marsit do të ketë dy risi të sigurta, ku synimi është krijimi i konkurrencës në mesin e fushës. 

Telegrafi mëson nga burime afër lojtarëve, se Bledian Krasniqi (Zurich) dhe Vesel Demaku (Altach), do të jenë dy prurjet e reja te Kosova, pasi dyshja ka kompletuar dokumentacionin e nevojshëm për të qenë pjesë e “Dardanëve”. 


Bledian Krasniqi, tani 23 vjeç, është një mesfushor që luan pozitat e qendrës si prapa ashtu edhe si më i avancuar, ndërsa është lojtar i formacionit startues te Zurich. 

Këtë sezon ai ka 22 ndeshje në elitën e futbollit zviceran, ku ka shënuar 3 gola dhe ka dhuruar 4 asistime. 

Lojtari që ka një vlerë në treg prej 1.5 milion eurove, ka luajtur Ligën e Konferencës këtë vit në tri përballje. 

Ai ka luajtur në të gjitha grupmoshat e Zvicrës, nga U15 deri në U21, duke zhvilluar afërsisht 40 ndeshje, ku ka edhe 5 gola. 


Në anën tjetër, Vesel Demaku, është një mesfushor mbrojtës, pjesë e Altachit, në elitën e futbollit austriak. 

Ai ka luajtur 20 ndeshje këtë sezon, ku ka edhe një asistim për ekipin e tij, ndërsa vlera e tij aktuale është 500 mijë euro. 

Demaku po ashtu ka luajtur në të gjitha grupmoshat e Austrisë nga U15 deri në U21,  ku ka 45 ndeshje dhe dy gola. 

Ai pritet ta rrit konkurrencën para mbrojtjes, duke sjell kualitet te Dardanët në ndërprerjen e aksioneve.


Në tubim pritet të mungojë Edon Zhegrova i cili ka një dëmtim dhe do të kthehet në fushë në muajin prill, ndërsa pritet të kthehet pas dëmtimit Emir Sahiti. /Telegrafi/  

Exit mobile version