Sipas Bleacher Report, Kosova është përzgjedhur në mesin e dhjetë ekipeve më atraktive për ta shikuar gjatë ndeshjeve eliminatore që luhen këtë muaj.
Kjo ueb faqe ka shkruar se ka një arsye të fortë për ta shikuar Kosovën në ndeshjen kundër Malit të Zi, pasi kjo ndeshje është vendimtare për ekipin e Bernard Challandesit që është në rrugë të duhur drejt historisë.
Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi zhvillohet më 14 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, prej orës 20:45 dhe i takon Grupit A eliminator.
“Vetëm një kundërshtar i kalibrit të Anglisë arriti t’i japë fund serisë prej 15 ndeshjeve pa humbje, pasi Kosova muajin e shkuar u mposht 5:3. Milot Rashica e Bersant Celina janë mesfushorët kreativë që e përkrahin sulmuesin Vedat Muriqi”, ka shkruar Bleacher Report.
“Nëse në tri ndeshjet e ardhshme merr rezultate të mira, duke nisur nga Mali i Zi, atëherë Kosova është në rrugë të mbarë për ta siguruar kualifikimin për evropianin e vitit të ardhshëm. Nëse do të arrihet një gjë e tillë, atëherë do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm”, shkruan kjo faqe.
Bleacher Report me Kosovën në këtë mes ka futur edhe nëntë shtete në këtë listë, pasi e mban edhe vendin e nëntë, pas Algjerisë.
Para Kosovës janë Venezuela, Senegali, Brazili, Anglia, Meksika, Italia, Gjermania dhe Holanda. /Telegrafi/