Site icon Telegrafi

Blazheviq ëndërron ta drejtojë Kosovën

“Ka kohë që nuk kam biseduar me një gazetar nga Prishtina Më vjen mirë që po flas me ju”. Këto ishin fjalët e para të legjendës së futbollit kroat, Miroslav Qiro Blazheviq, pasi që ‘Sport Plus’ kërkoi që ta intervistonte. Qiron në vendin tonë e njohin të gjithë, derisa gjeneratat pak më të moshuara e kanë idhull. Në vitin 1986, ai e ka drejtuar skuadrën më të madhe në vend, Prishtinën, e cila në atë kohë bënte gara në ligën federative të ish-Jugosllavisë. Blazheviq, i cili konsiderohet trajneri më i suksesshëm kroat, i është gazuar pa masë lajmit të 13 janarit, kur Përfaqësueses së Kosovës iu lejuan ndeshjet miqësore nga shtëpia më e madhe e futbollit në botë, FIFA. “Lejimi i ndeshjeve ndërkombëtare për Përfaqësuesen e Kosovës është një hap shumë pozitiv për futbollin e atjeshëm. Unë personalisht jam shumë i kënaqur për këtë gjë”, thotë në fillim të bisedës, Miroslav Qiro Blazheviq. Ky i fundit me Përfaqësuesen e Kroacisë ka bërë histori, duke e fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror në ‘Franca 98’. Ai është i bindur se Kosova do ta bëjë një Përfaqësuese për lakmi. “Kosova ka shumë futbollistë cilësorë, të cilët luajnë nëpër shumë klube të njohura evropiane. Mendoj se Kosova do ta bëjë një përfaqësuese shumë të fortë. Për këtë që po e them jam shumë i bindur”, vlerësoi Blazheviq.

Ëndrra ‘Kosovë’

Ditë më parë u fol se Blazheviq, mund ta marrë drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës. Një gjë të tillë e zbuloi për mediat e huaja. Blazheviq thotë se deri më tash nuk ka asnjë kontakt me drejtues të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). “Për të qenë përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës, ka qenë një dëshirë e imja prej shumë kohësh. Për fat të keq nuk kam kurrfarë kontaktesh me drejtuesit e Federatës atje, ndërkohë që në Kosovë kam shumë miq me të cilët kontaktoj kohë pas kohe”, zbuloi Blazheviq, i cili aktualisht është trajner në skuadrën Sloboda Tuzla në Bosnje e Hercegovinë.

Nostalgji për Prishtinën

Ani pse kanë kaluar shumë vite, Miroslav Qiro Blazheviq nuk e ka harruar Prishtinën, ekip të cilin e shpëtoi një vit nga elita e futbollit jugosllav (në vitin 1986). “Vitet e kaluara te Prishtina i konsideroj si më të mirat në karrierën time si trajner. Ka qenë një kohë e vështirë në Jugosllavi. Njerëzit në Kosovë në atë kohë e dashuronin futbollin dhe mendoj se të njëjtën gjë e bëjnë edhe sot”, përfundoi 78-vjeçari Miroslav Qiro Blazheviq.

Zvicra, Kroacia, Bosnja Hercegovina dhe Kina janë katër Përfaqësuesese të cilat i ka drejtuar gjatë karrierës së tij, legjenda e futbollit kroat, Miroslav Qiro Blazheviq.

Titujt

Miroslav Qiro Blazheviq me skuadrën e madhe kroate, Dinamo Zagreb, ka fituar tre tituj kampioni, dy herë e ka fituar Kupën e Kroacisë, derisa me Hajdukun e Splitit e ka shijuar Superkupën e Kroacisë. Me Grasshoppersin e Zvicrës e ka fituar titullin e kampionit, kurse me Sionin Kupën e Zvicrës. Në nivel përfaqësuesesh, Blazheviq e ka fituar me Kroacinë medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror në Francë në vitin 1998. Në vitin 1996, po me Kroacinë arriti deri në çerekfinale të Kampionatit Evropian, të zhvilluar në Angli. /SportPlus/Telegrafi/ 

Exit mobile version