Fadil Vokrri, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), u ka shkruar letër Sepp Blaterit, president i FIFA-së dhe Michael Platinis, drejtues i UEFA-së.
Numri një i futbollit kosovar ka njoftuar krerët e këtyre dy institucioneve me zhvillimet e fundit në vendin tonë dhe për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Në dallim prej Platinis, kreu i Federatës Botërore të Futbollit, Blatter ia ka kthyer letrën Vokrrit, ku i ka shkruar se është duke menduar për zgjedhjen e çështjes së futbollit kosovar.
“Nëpërmjet një letre i kemi informuar FIFA-në edhe UEFA-në për ngjarjet e fundit dhe rreth marrëveshjes së arritur. Pas kësaj, Blatter ia ka kthyer shkresën Vokrrit, ku i ka treguar se e ka marrë letrën dhe i ka shkruar se është duke menduar për zgjedhjen e çështjes së futbollit të Kosovës”, ka thënë për Express, Eroll Salihi, sekretar i përgjithshëm i FFK-së.
Komiteti Ekzekutiv i FIFA-së javë më parë e ka autorizuar Sepp Blatterin që të bisedojë me palën serbe për ta gjetur një zgjidhje për futbollin kosovar.
Ndërkohë, deri më tani kreu i futbollit botëror ende nuk ka udhëtuar drejt shtetit serb për të negociuar rreth kësaj çështjeje.
Por, drejtuesit e FFK-së besojnë se Blatter para Kongresit të FIFA-së, i cili mbahet në fund të muajit maj, duhet ta gjejë një zgjidhje për futbollin në vend, i cili vazhdon të mbetet i izoluar.
“Besoj që para Kongresit të FIFA-së, që mbahet në maj, Blatter duhet të bisedojë me Serbinë dhe ta zgjedh çështjen e futbollit kosovar”, u shpreh Salihu.
FIFA, muaj më parë i ka lejuar Kosovës që të luajë miqësore me të rinjtë dhe me ekipin e femrave, derisa përfaqësueses A ia ka mohuar një gjë të tillë.
Pavarësisht kësaj, ky vendim është refuzuar nga FFK, pasi FIFA ka thënë që kosovaret duhet ta pyesin Serbinë kur dëshirojnë të luajnë brenda territorit të Kosovës.
FFK pret që në kongresin e FIFA-së, që mbahet në maj, Kosovës t’i lejohet që të luajë ndeshje me ekipe dhe të gjitha përfaqësueset pa pasur pengesa.
Ndërkohë, sipas Salihut, FFK me gjasë nuk do të kërkojë pranim të plotë gjatë Kongresit të FIFA-së, raporton Express. /Telegrafi/