Site icon Telegrafi

Blatter: Ka një gjueti shtrigash kundër meje

Sepp Blatter, ish-kreu i organit qeverisës global të futbollit, FIFA, mezi pret të pastrojë emrin e tij nga akuzat se ai ka bërë pagesa korruptive ndaj të madhit të futbollit francez, Michel Platini, në një seancë të re gjyqësore.

Blatter, i cili ishte president i FIFA-s nga viti 1998 deri në vitin 2015, i tha Reuters të martën se ai ishte i pafajshëm dhe viktimë e një gjueti shtrigash përpara seancës së apelit të hënën.

Të dy, Blatter dhe Platini u liruan në vitin 2022 nga një gjykatë zvicerane pas një hetimi shtatëvjeçar për pagesën e dy milionë frangave zvicerane, një vendim i kundërshtuar nga prokurorët zviceranë.

“Gjykata Penale Federale në vitin 2022 tha se kontrata mes Platinit dhe meje ishte e saktë dhe unë pres që gjykata e re ta mbajë në fuqi këtë vendim”, deklaroi Blatter për Reuters, duke shtuar se ankesa ishte absolutisht e pakuptimtë.

“Është një gjueti shtrigash ndaj meje, një lloj hakmarrjeje. Jam plotësisht i bindur se do të shpallem i pafajshëm, jam një njeri i ndershëm”, ka përfunduar 88-vjeçari.

Në një intervistë për Reuters, Blatter tha se Britania e Madhe e meritonte të organizonte Kupën e Botës më shumë se Arabia Saudite dhe se vetë kampionati ishte bërë i cilësisë së dobët për shkak të rritjes së numrit të pjesëmarrësve, që ishte një gabim i dukshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version