Lively, e njohur për flokët e saj të shëndetshëm dhe plot shkëlqim, ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket flokëve
Me editimin e linjës së saj të re të kujdesit për flokët “Blake Brown”, ajo ka bërë një lëvizje befasuese: Nuk përdor asnjë zbutës flokësh tradicional. Në vend të kësaj, koleksioni i Lively fokusohet në shampo dhe maska flokësh, duke lënë shumë njerëz të pyesin se pse zbutësi i flokëve nuk preferohet nga ajo dhe a duhet të bëjmë të njëjtën gjë?
Debati për kujdesin e flokëve: Zbutësi apo maskat e flokëve
Zbutësi apo balsami është një element kryesor në shumicën e rutinës së kujdesit të flokëve. Pas larjes me shampo, është produkti më i përdorur për të rivendosur lagështinë dhe për t’i bërë flokët më të menaxhueshëm për stilim dhe për një dukje më të shëndetshme të tyre.
Sipas Dr. Lisa Rhodes, një dermatologe e certifikuar, zbutësit funksionojnë duke rimbushur vajrat natyralë të flokëve, të cilët shpesh hiqen gjatë larjes me shampo.
Maskat e flokëve, nga ana tjetër, funksionojnë në një nivel tjetër.
Jennifer Korab, një stiliste me bazë në New York, shpjegon se maskat e flokëve përmbajnë përbërës më të përqëndruar si vajra natyralë, proteina dhe vitamina. Këto formula të pasura depërtojnë në thellësi të flokëve, duke ofruar ushqim dhe riparim intensiv.
Ndryshe nga zbutësit, maskat e flokëve zakonisht përdoren më rrallë – rreth një herë në javë – dhe kërkojnë më shumë kohë për të bërë magjinë e tyre, zakonisht nga 10 deri në 30 minuta.
Pra, ndërsa të dy produktet synojnë të hidratojnë dhe mbrojnë flokët tuaj, ato shërbejnë për qëllime të ndryshme. Zbutësit janë aleatët tuaj të përditshëm, duke i mbajtur flokët tuaj të lëmuar dhe të lehtë për t’u stiluar, ndërsa maskat janë më efikase për problematika më serioze të flokëve, si thatësia apo dëmtimi nga faktorët e jashtëm.
Po zgjedhja e Blake cila është?
Blake Lively thotë se filozofia e saj e kujdesit të flokëve mbështetet në dy gjëra thelbësore: volum dhe hidratim. Duke përdorur një kombinim ekskluziv me shampo dhe maskë flokësh, ajo beson se mund t’i sigurojë në mënyrë efektive të dyja.
“Kam kaluar në një sistem përkujdesi me shampo dhe maska 20 vjet më parë dhe nuk kam bërë kurrë mbrapa,” shpjegoi Lively, duke shtuar se ajo tani ndan këtë filozofi me linjën e saj të re të produkteve.
A duhet të ndiqni edhe ju rutinën e Blake?
Ndërsa flokët e Lively janë padyshim mahnitës, është e rëndësishme të mbani mend se flokët janë të ndryshëm dhe si të tillë kanë nevojë për kujdes specifik. Zgjedhja midis përdorimit të një zbutësi, një maske flokësh, ose të dyjave, varet kryesisht nga lloji i flokëve, gjendja dhe nevojat specifike.
Për personat me flokë të shëndetshëm që janë relativisht të lehtë për t’u menaxhuar, një zbutës mund të jetë gjithçka që ju nevojitet për mirëmbajtjen e përditshme. Ofron mjaftueshëm hidratim dhe butësi për t’i bërë flokët tuaj të duken shkëlqyeshëm çdo ditë. Sidoqoftë, nëse flokët tuaj janë të thatë, të dëmtuar ose shpesh të ekspozuar ndaj stilimit, nxehtësisë ose trajtimeve kimike, përfshirja e një maske flokësh në rutinën tuaj mund të jetë një zgjedhje mëse e zgjuar.
Është gjithashtu e rëndësishme të shmangni përdorimin e tepërt të secilit prej produkteve. Përdorimi shumë i shpeshtë i zbutësit, mund të çojë në grumbullimin e tepërt të produktit, duke i bërë flokët tuaj të ndihen të yndyrshëm dhe më të rënduar se zakonisht. Në mënyrë të ngjashme, aplikimi i një maske flokësh më shumë se një herë në javë mund të shkaktojë rënie më të madhe të flokëve dhe yndyrë të tepërt.
Gjetja e asaj që funksionon për ju
Pavarësisht nëse zgjidhni të ndiqni drejtimin e Blake, çelësi është të ndiqni nevojat e flokëve tuaj dhe të rregulloni rutinën tuaj në përputhje me gjendjen e flokut, citon Anabel.
Në fund të fundit, rutina më e mirë e kujdesit të flokëve është ajo që ju bën të ndiheni të sigurta dhe të bukura në lëkurën tuaj, ose në këtë rast, me flokët tuaj. /Telegrafi/