Në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor sot është diskutuar për gjendjen e Kompleksit memorial “Adem Jashari”.
I ftuar ishte drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Idriz Blakaj, i cili tha se Kompleksi memorial i familjes Jashari është në gjendje të rëndë.
“Edhe sot me u bë Ligji për Kompleksin memorial Adem Jashari është vonë, andaj për konservim të kullës nevojiten 6 milionë euro dhe nuk mjaftojnë 100 mijë euro. Fajtor për gjendjen e rëndë janë të gjitha institucionet, duke përfshirë edhe deputetët e Kuvendit”, ka thënë Idrizi.
Sipas tij, kjo agjenci nuk ka as staf dhe as kushte për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.
Daut Haradinaj, kryetar i këtij Komisioni ka thënë se për gjendjen e rëndë të kullës së Jasharajve është përgjegjës pikërisht AMKMK.
Deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu ka kërkuar shpjegime nga Idriz Blakaj për planin e konservimit të Kullës.
“Trashëgiminë më të madhe që na ka lënë lufta e fundit është duke humbur sot dhe shkatërruar. Fajtor jemi të gjithë dhe çka mundemi të bëjmë që prej sot t’i shpëtojmë këto kulla?”, pyeti Musliu.
Enver Hoti, deputet i Nismës për Kosovën ka thënë se shumë më e ndershme do të ishte të jepte dorëheqje Idriz Blakaj nga AMKM se sa të punonte në kushte të pafavorshme dhe të ankohej sot për mos plotësim të kushteve.
Komisioni për Bujqësi ka ndërprerë mbledhjen për shkak të seancë plenare, ndërsa mbledhja e këtij Komisionit do të vazhdojë në ora 13.00. /KP/Telegrafi/