Promovimi, respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave me sindromën Down në Kosovë dhe familjarëve të tyre është misioni i Shoqatës Down Syndrome Kosova, e cila është organizatë jo qeveritare, e themeluar në mars të vitit 2007. Shoqata është themeluar nga prindërit e individëve me sindromë Down.
Shoqata Down Syndrome Kosova numëron mbi 980 anëtarë dhe ka shtrirje me qendra në katër regjione të Republikës së Kosovës, Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Mitrovicë, ku brenda këtyre qendrave kanë implementuar një sistem të ofrimit të shërbimeve për rreth 300 persona me sindromë Down. I gjithë shërbimi profesional i ofruar nga shoqata është falas për komunitetin me sindromë Down, duke siguruar fondet nga donatorë të ndryshëm, qytetarë të vullnetit të mirë dhe nga shitja e produkteve nga shoqata.
Gjendja e krijuar nga pandemia COVID-19 në Kosovë, ka ndikuar edhe në ekzistencën financiare të Shoqatës Down Syndrome Kosova, duke shkaktuar ndërprerjen e aktiviteteve që për qëllim kanë pasur mbledhjen e fondeve. Kjo problematikë ka sjellur shoqatën në një situatë ku ata e kanë të pamundur të sigurojnë ekzistencën financiare, dhe kjo sjellë për pasojë ndërprerjen e shërbimeve për personat me sindromë Down.
Shërbimet që ofron kjo shoqatë kanë ndikim shumë të rëndësishëm në jetën e një individi me sindromë Down andaj ndërprerja e tyre për arsye financiare do të ketë efekt negative.
Në këtë rast shoqata vazhdon të kërkojë mbështetje për shërbimet që ofrojnë, e së fundi kësaj thirrjeje i është përgjigjur me plot mirëkuptim BKT Kosova për t’u dalë në ndihmë në vazhdimin e ofrimit të shërbimeve terapeutike për një fëmije të diagnostikuar me sindromën Down për një periudhë 12 mujore.
Gjithashtu, BKT Kosova do ta ndihmojë këtë shoqatë duke blerë produkte që fëmijët me Sindromë Down i përgatisin, në këtë mënyrë duke i dhënë mbështetje financiare Shoqatës ”Down Syndrome Kosova”.
Këtë mbështetje e ka mirëpritur edhe Shoqata ‘Down Syndrome Kosova’ e cila falënderon Bankën Kombëtare Tregtare për mbështetjen, ndërsa shpresojnë se shembullin e kësaj banke ta marrin edhe të tjerët, qytetarët e vullnetit të mire, bizneset apo kushdo tjetër, në mënyrë që të mbështeten tutje fëmijët me sindromën Down për ngritjen e cilësisë së jetës dhe gjithë përfshirjen e plotë të tyre në shoqëri.