Site icon Telegrafi

“Bjeshkët në këtë fotografi nuk i takojnë Serbisë” – Ambasada gjermane përballet me komentuesit serb për bjeshkët e Kosovës

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ditë më parë publikoi një fotografi të bjeshkëve të Kosovës, ku shiheshin pika e Shkelzenit, Zogut dhe Gjeravicës.

“Shëtitjet në terren në këtë vend të mrekullueshëm janë vërtet mbresëlënëse me një panoramë kaq mahnitëse përpara teje. Përshëndetje nga maja më e lartë e Kosovës, Gjeravica dhe fqinjët e saj mahnitës. Kontrasti mes pyllit të errët, borës së bardhë që shkëlqen dhe qiellit të thellë blu është thjesht spektakolar!”, thuhej në postimin e Ambasadës gjermane.

Mirëpo ajo që ka tërhequr vëmendjen janë komentet e shumta negative në këtë postim, që kryesisht janë bërë nga qytetarë serb të cilët kanë shprehur se këto male i takojnë Serbisë.

Por, ambasada gjermane është kujdesur që secilit prej komentuesve t’u kthejë nga një përgjigje duke iu bërë të qartë realitetin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, shkruan Telegrafi.

“Le ta dinë të gjithë që Kosova është Serbi. Me dashuri UN 1244” ishte një koment që nga një qytetar serb, mirëpo ambasada gjermane iu përgjigj “Pavarësia e Kosovës është një realitet dhe një fakt. Gjermania e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur që nga viti 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Kjo njohje është e ndarë nga shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian 🇪🇺 dhe shumë shtete të tjera në mbarë botën. Gjermania mbetet e angazhuar për të mbështetur sovranitetin e Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat evropiane dhe ndërkombëtare”.

Këtu nuk kanë mbaruar përgjigjet e ambasadës gjermane ndaj komenteve negative kundrejt Kosovës.

Një tjetër komentues shkruante “Këto janë të gjitha Serbi”, ndërkaq përgjigja e Ambasadës ishte “Serbia është Serbi dhe Kosova është Kosovë”

“I dua bjeshkët e Serbisë”, ishte komenti i radhës dhe Ambasada gjermane nuk hezitoi t’i kthehet me një koment “edhe ne i duam gjithashtu. Vetëm se bjeshkët në këtë fotografi nuk i takojnë Serbisë”

Një tjetër komentues serb shkroi se “Gjeravica është maja më e lartë e Serbisë”, dhe komenti i Ambasadës ishte sërish goditës. “Maja më e lartë në bjeshkët e Serbisë është Midzor i bukur, i cili ndodhet në kufi me Bullgarinë dhe është i lartë 2.169metra”, shkruan Telegrafi.

“Bjeshkët e bukura të Serbisë”, kishte shkruar një tjetër komentues. Në këtë Ambasada e Gjermanisë u përgjigj “Serbia ka bjeshkë të bukura gjithashtu. Ne kurrë nuk do ta kundërshtonim këtë. Vetëm se bjeshkët në fotografi nuk i takojnë Serbisë”.

Komentet negative nuk mungonin. “E bukura Serbi” ishte komenti tjetër dhe Ambasada u përgjigj kështu “Serbia është e bukur, dhe pajtohemi. Por ky postim është për bukuritë e bjeshkëve të Kosovës”.

Në një tjetër koment të ngjashëm Ambasada gjermane u përgjigj “Siç edhe e cekëm në disa prej komenteve tjera: Pajtohemi plotësisht që Serbia është një vend i bukur. Vetëm është me rëndësi të cekim se kjo fotografi nuk tregon peizazhin e Serbisë”.

Si rezultat i shumë komenteve të tilla Ambasada gjermane u detyra të mbyllte komentet në postimin e saj.

“Kemi vendosur të kufizojmë seksionin e komenteve nën këtë postim për shkak të volumit të lartë të komenteve konfrontuese që nuk nxisin debat konstruktiv ose shkëmbim mendimesh. Qëllimi ynë është të ruajmë një platformë diskutimi të respektueshme dhe kuptimplotë. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj”, thuhej në njoftimin e ambasadës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version