Site icon Telegrafi

Bjellorusia dënon me 10 vjet burg aktivistin që fitoi Çmimin Nobel për Paqe

Një gjykatë në Bjellorusi dënoi fituesin e çmimit Nobel për Paqe, Ales Bialiatski me 10 vjet burg.

Ai u dënua për kontrabandë dhe financim të “veprimeve që shkelin rëndë rendin publik”, tha grupi i të drejtave të njeriut Viasna, transmeton Telegrafi.

Mbështetësit e Bialiatskit, 60 vjeçar, thonë se regjimi autoritar i liderit bjellorus Aleksandar Lukashenko po përpiqet ta heshtë atë.

Bialiatski ishte një nga tre fituesit e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2022.

Ai u arrestua në vitin 2021 pas protestave masive në rrugë për zgjedhjet e diskutueshme gjerësisht të vitit paraprak dhe u akuzua për kontrabandë parash në Bjellorusi për të financuar aktivitetin e opozitës.

Protestuesit u ndeshën me brutalitetin e policisë dhe kritikët e Lukashenkos arrestoheshin dhe burgoseshin rregullisht gjatë demonstratave, të cilat filluan në vitin 2020.

Bialiatski ishte në gjykatë së bashku me dy aktivistë të tjerë, Valentin Stefanovich dhe Vladimir Labkovich.

Stefanovich u dënua me nëntë vjet burg, ndërsa Labkovich mori shtatë vjet, sipas Viasna-s, grupi që  Bialiatski themeloi në vitin 1996.

Të tre më herët ishin deklaruar të pafajshëm.

Udhëheqësja e opozitës në mërgim e Bjellorusisë Svetlana Tikhanovskaya tha se dënimi ishte “thjesht i tmerrshëm”.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka për të luftuar kundër kësaj padrejtësie të turpshme dhe për t’i liruar ata”, tha ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version