Përfaqësuesja e Bjellorusisë dhe ajo e Kosovës do të përballen në Budapest në ndeshjen e tretë kualifikuese për Kampionatin Evropian ‘Euro 2024’.
Vendasit nuk kanë fituar ende asnjë pikë ku kanë tre disfata radhazi, derisa Kosova ka marrë tre barazime në tri sfidat e para.
Fitorja është shumë e rëndësishme si për vendasit ashtu edhe për mysafirët për ecurinë dhe për të mbetur në garë për kualifikim.
Dueli mes Bjellorusisë dhe Kosovës zhvillohet në Szusza Ferenc Stadion në kryeqytetin hungarez Budapest me fillim nga ora 20:45.
Vlera e dy ekipeve përfaqësuese: Kosova shtatë herë më e vlefshme se Bjellorusia
Kosova është shumë më lartë sa i përket vlerës së ekipit nga futbollistët e grumbulluar për këto sfidat e muajit qershor.
Dardanët kanë një vlerë në total prej 87,8 milionë euro nga 24 futbollistë të grumbulluar.
Ndërkohë sa i përket përfaqësueses bjelloruse ka një vlerë modeste prej 12,2 milionë eurove.
Kjo vlerë e bjellorusëve është nga 23 futbollistë të grumbulluar për sfidën ndaj Kosovës.
Futbollistët më të vlefshëm te Bjellorusia dhe Kosova – dallimi shumë i madh
Kosova ka futbollistë jashtëzakonisht cilësorë që luajnë në kampionate të mëdha dhe në klube të mëdha gjithashtu.
Futbollisti më i vlefshëm i Dardanëve është kapiteni Amir Rrahmani i cili luan në Napoli dhe ka një vlerë prej 25 milionë eurove në tregun e transferimeve.
Listë së top pesë futbollistëve i bashkohen edhe Vedat Muriqi me një vlerë prej 15 milionë dhe Aro Muric me tre milionë euro më pak.
Në pozitën e katërt është Milot Rashica me një vlerë prej 8,5 milionë euro, derisa Edon Zhegrova është lojtari i pestë më i vlefshëm i Kosovës me çmimin e tij që është shtatë milionë euro.
Ndërkohë futbollistët e Bjellorusisë kanë vlera modeste në tregun e transferimeve.
Ylli më i madh i ekipit është mesfushori Maks Ebong që luan në Kazakistan me fanellën e Astanës dhe është njëherit futbollisti më i vlefshëm me 1,2 milionë euro vlerë.
Në pozitën e dytë është mesfushori tjetër Kirill Kaplenko që vlerësohet një milionë euro, derisa i treti është Pavel Savitskiy me 800 mijë euro.
Pozitën katërt dhe pestë e përmbyllin kapiteni Evgeniy Yablonskiy dhe Roman Yuzepchuk që vlerësohen nga 700 mijë euro. /Telegrafi/