Telegrafi

Biznesmeni shqiptaro-amerikan kërkon 100 milionë dollarë dëmshpërblim

Nga Ruben Avxhiu

Biznesmeni shqiptaro – amerikan dhe botuesi, Sam (Selim) Zherka, renditi përpara gazetarëve dhe fotoreporterëve, arsyet se pse po e ngrinte padinë dhe sesi veprimet e disa politikanëve, sipas tij, të korruptuar të Westchester-it, në bashkëpunim me miqtë e tyre në policinë e New York-ut, e kanë akuzuar si “kriminel shqiptar”, në kuadrin e një hakmarrjeje me motive politike.

Historia e konfliktit filloi me një artikull politik

Sam Zherka është një biznesmen i suksesshëm shqiptaro-amerikan. Vetëm 40 vjeç, ai është pronar i dy klubeve të famshme striptizmi, pronash të patundshme, e restorantesh. Dy vjet më parë, ai vendosi të hynte edhe në fushën e botimeve duke blerë gazetën “The Westchester Guardian”, e cila është sot gazeta me tirazhin më të lartë në kontenë, në veri të New York City-t.

Pikërisht me blerjen e gazetës filluan problemet për Sam Zherkën. Në fillim të vitit 2007, Zherka botoi në gazetën e tij një artikull kritik për procesin e zgjedhjes së Prokurorit të Distriktit në Westchester County. Sipas artikullit, Dennis Glazer, bashkëshorti i Prokurores, Janet DiFiore, u përpoq që të korruptonte një tjetër kandidat për këtë post. Në këtë mënyrë, ai do të siguronte që e shoqja nuk do të kishte rivalë seriozë në garë.

Pas kësaj, Zherka, thotë se ka marrë një telefonatë nga prokurorja, DiFiore, e cila e ka kërcënuar: “Si do të të dukej në qoftë se dikush do të sulmonte familjen tënde?”, – i ka thënë ajo atij. “Nuk do të më pëlqente”, – i është përgjigjur Zherka. Atëherë, prokurorja i ka thënë se duhet të ketë kujdes se ajo dinte “ta luante shumë mirë këtë lojë”.

Pas kësaj, ajo i ka thënë një të besuari të saj politik se, Zherka, ishte “një figurë kriminale shqiptare” dhe se shpejt do t’i binte në dorë.

Zherka thotë se tani kundër tij u angazhua një “dorë e fortë”, Thomas Belfiore, Komisioner i Departamentit të Shërbimit të Sigurisë Publike në Westchester County. Belfiore, dikur një funksionar i lartë i policisë së New York-ut, ku ende ruan lidhje të forta.

Ai e fyeu publikisht biznesmenin shqiptar, duke thënë se ai është “përfaqësues i krimit të organizuar shqiptar” dhe se “vetëm një mafioz mund të ketë në zotërim një klub ku zhvishen femrat”.

Për të zgjeruar sulmin e tyre edhe në Manhattan, ku Sam ka edhe dy klubet e famshme të striptizmit, “VIP CLUB” dhe “CHEETAHs”, Belfiore dhe Janet DiFiore, kontaktuan me Mathew Bogdanos, ndihmësprokuror në qytet.

Bogdanos menjëherë u vu në lëvizje kundër shqiptarit, duke bërë që Zyra e Kontrollit të Krimit të Organizuar në NYPD, të hapte një dosje hetimore, në të cilën Zherka cilësohet si “figurë e krimit të organizuar shqiptar”.

Një hetim i ngjashëm filloi edhe në zyrën e Prokurorit të Distriktit në qytet, ku Bogdanos e cilësoi publikisht Zherkën si një “kriminel shqiptar” dhe, siç thotë dokumenti i dorëzuar në gjykatë, “Zherka është shpërndarësi më i madh i drogës në New York dhe mospagues taksash”.

Viktimë e këtij sulmi u bë edhe George Weir, i cili, sipas Zherkës, u akuzua nga Zyra e Krimeve si bashkëpunëtor i biznesmenit shqiptaro-amerikan, vetëm se pse ishte shok fëmijërie me të dhe u shkarkua nga detyra, duke e kthyer si polic të zakonshëm në Bronx.

Kur një incident ndodhi në klubin “Cheetah”, ku Zherka është bashkëpronar, policët që u dërguan aty, me të marrë vesh emrin e tij, bënë lidhjen me profilin e formuar tashmë në dosje për të dhe, pa shikuar faktet, i kërkuan atij që të dilte jashtë nga klubi, një shenjë e qartë e demit, që kjo përplasje mund t’u sjellë bizneseve të Zherkës.

I vendosur për të luftuar: “Të jesh shqiptar nuk do të thotë të jesh gangster”

Sam Zherka dukej i qetë dhe i vendosur dje në konferencën e tij për shtyp.

“Nëse thonë që jam kriminel, atëhere ku janë faktet?” – tha ai. “Nëse ka fakte atëhere unë e mbyll gojën dhe dorëzohem vetë, e le të bëjnë me mua atë që duhet. Por, nëse fakte nuk ka dhe kjo ka qenë vetëm një mënyrë për të ndalur lirinë e fjalës këtu në Amerikë, atëhere dikush duhet të paguajë për këtë”.

I ndjeshëm për pasojat e sulmeve ndaj tij, ai u shpreh se gjithë jetën është njohur si një punëtor i palodhur, si një biznesmen i zgjuar, si një baba dhe bashkëshort i kujdesshëm.

“Nuk do të lejoj që të luhet me emrin tim për interesa politike”, – tha ai.

Zherka, i cili ka katër fëmijëve, pret që së shpejti të bëhet edhe me katër fëmijë të tjerë. Mjekët kanë thënë se bashkëshortja e tij shtatëzënë do të lindë katërnjakë, një tjetër arsye që mund t’i bëjë edhe njëherë gazetat e New York-ut që të vrapojnë drejt tij.

Duke nënvizuar përdorimin e kombësisë për të justifikuar inkriminimin e tij, Zherka tha se këta zyrtarë mund të mjaftoheshin, duke e cilësuar si “kriminel”.

“Çfarë do të thotë kriminel shqiptar”, – pyeti ai dje gazetarët. “Së pari, unë kam lindur në Amerikë dhe nuk mund të bëhet fjalë për nënshtetësi. Është e qartë se i vetmi shpjegim është përdorimi i fjalës ‘shqiptar’ për të nënkuptuar ‘keqbërës’, ashtu si dikur përdorej për të diskriminuar irlandezët si huliganë, pastaj italianët si mafiozë e më pas zezakët e hispanikët”.

I pyetur nga një reporter i gazettes, “New York Post”, nëse mendonte se do të trajtohej në të njëjtën mënyrë po të mos ishte shqiptar, Zherka u përgjigj se ortaku i tij në biznes është irlandez dhe, ndonëse që të dy kanë në pronë të njëjtin klub nate, ortaku i tij nuk cilësohet si “gangster”, ashtu si bëhet me të. Ky, sipas tij, është diskriminim.

Zherka premtoi se shumë anëtarë të njohur të komunitetit do të thonë fjalën e tyre, që askush të mos luajë me emrin e “shqiptarit”.

Pak vite më parë, një grup i krimit të organizuar, i kapur nga FBI-ja, u cilësua si “grup kriminal shqiptar”, ndonëse në përbërjen e tij, vetëm gjashtë nga 15 ishin shqiptarë. Kjo ka kohë që ndodh, sipas Zherkës, po tani ka dalë dikush që do të bëhet shembull që kjo të mos ndodhë më.

“Prindërit e mi erdhën këtu, duke lënë pas komunizmin. Babai im ka qenë për shumë vite i burgosur dhe i internuar në kamp pune. Nëna ime gjithashtu ka vuajtur tre vjet burg”, – tha ai, duke shtuar se nuk do të lejojë që, në një vend demokratik, të përdoren metoda diskriminuese që i kanë hije vetëm regjimeve si ai që diskriminoi prindërit e tij.

Shuma e kërkuar është normale, duke pasur parasysh dëmin.

uke folur për përpjekjet për të shkatërruar biznesin e tij, Zherka, ka akuzuar policinë se po vendos postblloqe në orët e vonam, që klientët të mund t’i afrohen me makinë klubeve të tij e duke u thënë klientëve, shkarazi, se “klubi po mbyllet”.

Mbi të gjitha, dosja hetimore që është hapur mund të sabotojë të gjitha planet e biznesit që mund të bëjë Zherka në të ardhmen. Profili kriminal që është krijuar për të, ndonëse në mungesë të plotë provash, u përcillet sipas zakonit të gjitha agjencive të tjera të rëndësishme lokale, shtetërore dhe kombëtare.

Kjo do të sabotojë përpjekjet e Zherkës në të ardhmen për të marrë kredi, për të aplikuar për licensa, për të blerë dhe shitur prona e objekte që kërkojnë pagesa mujore, si dhe që të hyjë në partneritete biznesi, në të cilat kërkohet kontroll i të kaluarës kriminale dhe i biografisë së ortakut.

Zherka po e çon padinë e tij në gjyq si reagim ndaj sjelljes së zyrtarëve në Westchester, të dosjes së padrejtë hetimore të policisë dhe prokurorisë në New York City, për shkak të fyerjes së tij me baza etnike, që bie në kundërshtim me Klauzolën e Mbrojtjes së Barabartë në Amendamentin e 14 të Kushtetutës, dhe përpjekja për ta ndaluar që të thotë mendimin e tij kundër politikanët të korruptuar, që i takon në bazë të Amendamentit të Parë të Kushtetutës (Liria e Fjalës, etj).

Ai, gjithashtu, i padit kundërshtarët e tij për shkaktim të tronditjes emocionale, ankthit, frikës nga policia, përbuzjes dhe turpërimit publik, të cilat ka vendosur të mos i durojë më.

Me anët të padisë së tij, Sam Zherka, është duke kërkuar një dëmshpërblim prej 100 milionë dollarë nga Qyteti i New York-ut, si dhe dënimin personal të Thomas Belfiore-s, për angazhimin e tij në veprimet e lartpërmendura.

Avokati i tij është Jonathan Lovett, i cili e shoqëroi gjatë gjithë konferencës së tij për shtyp, së bashku me kryetarin e Partisë Indipendente në New York, Dr. Guido Cavallo, që u paraqit si udhëheqës qytetar në Westchester County.

“Dikush tjetër do të ishte trembur e do të kishte vrapur nga frika e policisë dhe prokurorisë”, – tha Sam Zherka. “Jo unë. Unë do të bëj që ata të mendohen mirë përpara se të sulmojnë një të pafajshëm herë tjetër. Do t’i shtyp në gjyq”.

Ruben Avxhiu është redaktor i gazetës “Illyria” në New York