Telegrafi

Biznesmeni saudit rrëzohet dhe vdes gjatë një fjalimi në një konferencë në Kajro

Një video tronditëse thuhet se ka kapur momentin kur një biznesmen u rrëzua dhe vdiq teksa mbante një fjalim në një konferencë në Egjipt.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Muhammad Al-Qahtani, një biznesmen saudit që thuhet se banon në Emiratet e Bashkuara Arabe, po mbante një fjalim në Konferencën Arabo-Afrikane në Kajro të hënën kur u duk se humbi vetëdijen dhe u rrëzua.

Al-Qahtani ishte kryetar i bordit të Al-Salam Holding Company dhe thuhet se mbante një sërë postesh nderi si ambasador i vullnetit të mirë.

Abdullah Elshrif, një YouTuber egjiptian, shkroi se zoti Al-Qahtani vdiq pasi u çua në një dhomë tjetër nga rojet e sigurisë në konferencë.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të organeve dhe organizatave ndërkombëtare, rajonale dhe arabe, si dhe një numër ambasadorë dhe personalitete arabe, raportoi Arabi21.

Shkaku i vdekjes së zotit Al-Qahtani nuk ishte menjëherë i qartë. /Telegrafi/