Site icon Telegrafi

Biznesmeni nga Kosova, Misionar Paqeje në Gjermani

Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet ka vazhduar aktivitetet e veta përtej Ballkanit në Evropë duke u shtrirë në Gjermani me certifikimin e Bekim Shala –Misionarin e parë në këtë shtet që ka mbi 80 milionë banorë.

Në këtë rast Shefki Hysa, Guvernator i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet i akredituar nga OKB, SHBA, NATO dhe BE tha se “Paqja sot po rrezikohet në tërë globin, jemi ne bashkërisht me shumë miq ndërkombëtarë dhe vendorë që po tentojmë të promovojmë paqen si e vetmja zgjidhje për të jetuar me komunitetet pa urrejtje por me frymën e ndërsjellë të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës. Ju do të jeni një nga figurat që do ti bashkohet këtij misioni fisnik në Gjermani dhe në shumë vende ku punoni dhe jetoni. Për figurën tuaj sot flet bota paqësore dhe ju kanë vlerësuar institucionet më prestigjiozë përtej oqeanit siç është Akademia e Paqes Botërore Universale me qendër në Nju Jork, Trupa Diplomatike e Shën Gabrielit, Misioni Amerikan Diplomatik për Paqen Botërore dhe Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet. Ju, Bekim Shala nga sot zyrtarisht merrni titullin e aprovuar unanimisht si Misionar Paqeje për Gjermaninë”, tha Hysa.

Ndërsa Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), tha se “Është kënaqësi kur biznesmenët nga Kosova vlerësohen nga këto institucione të larta ndërkombëtare si misionarë të paqes por edhe si njerëz të vlerësuar për kontributin e tyre në të kaluarën edhe në Kosovë edhe në Gjermani. Shqiptarët sot në diasporë nuk janë punëtorë vetëm të krahut por ata janë të integruar në të gjitha strukturat shtet formuese dhe diplomatike. Për Kosovën është nder i madh që një bashkëkombës i joni sot certifikohet me këtë titull kaq të lartë që di ta rritë përgjegjësinë por edhe autoritetin gjatë gjithë jetës. Familja Shala është e njohur për kontributin e dhënë në kauzën kombëtare dhe luftën e drejtë të viteve ’99 duke e ndihmuar atë edhe me kapital edhe me gjak”, ka thënë Shahini.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Klinës Zenun Elezaj, tha se “Kam ardhur me kënaqësi të përcjell këtë ceremoni solemne për bashkëkombësin dhe bashkëqytetarin tim për këtë vlerësim kaq të lartë dhe kjo e nderon gjithë Kosovën por në veçanti Komunën e Klinës”, ka theksuar Elezaj.

Bekim Shala, pas ceremonisë së certifikimit u shpreh me emocione para pjesëmarrësve që ishin mbi 150 miq dhe dashamirës të tij gjermanë, shqiptarë, francez dhe zviceranë. “Jeni ju ata që më ndihmuat gjatë karrierës time dhe nuk më latë asnjëherë vetëm në punën time për vete, familjen dhe kombin tim. Sot zotohem para jush dhe familjes time se do të vazhdoj të punoj më shumë për komunitetet dhe për paqen në gjithë vendet ku unë punoj, jetoj dhe veproj”, theksoi Shala. /Telegrafi/

Exit mobile version