Shefik Bora, baba i dy fëmijëve, i cili njihet në qytet si pronar i një lokali shumë pranë parkut “Rinia”, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës, kur 54-vjeçari Bora është gjetur i vdekur në shkallët e banesës së tij, në lagjen “5 Maji”.
Sipas burimeve nga familja e biznesmenit, dyshohet që ai ta ketë kryer këtë akt, pasi jo një herë, por disa herë i është lajmëruar se lokali i tij i ndërtuar prej 15 vitesh në një nga lulishtet e parkut “Rinia” do të prishet, pasi aty do të kalojë rruga e makinave.
Shefiku ka nisur të shfaqë shenjat e para të depresionit prej më shumë se një vit më parë, kur edhe ishte sinjalizuar për prishjen e objektit.
54-vjeçari, sipas dëshmisë së dhënë nga familjarët në polici, ka qenë mjaft i lidhur me punën në lokal dhe fakti se do shembej e kishte tronditur atë jashtë mase.
Lokalin ai kishte mbi 15 vjet që e kishte hapur. Fillimisht shërbente si bar restorant dhe vitet e fundit ishte kthyer edhe në hotel. Policia bën me dije se ai e kryente këtë aktivitet konform ligjit, si edhe ishte taksapagues i rregullt kundrejt detyrimeve të shtetit. /albeu/