Site icon Telegrafi

Biznesmenët kosovarë ankohen për kritere të ashpra të vizave

Afaristët kosovarë ankohen për kritere të ashpra të pajisjes me viza nëpër Ambasadat e vendeve të zonës Shengen. Ata thonë se vizat po vështirësojnë zhvillimin e biznesit të tyre. Por zyrtarët e ambasadave të këtyre vendeve, thonë se nuk mund të ndihmojnë, pasi në pyetje janë rregulloret e përbashkëta të vendeve të Shengenit.

Njëra ndër shumë ankesat e bizneseve, janë edhe procedurat e pajisjes me viza nëpër ambasadat e vendeve të Shengenit. Kjo problematikë shpesh potencohet nga afaristët gjatë takimeve me ambasadorë. Këtë e ka bërë së fundi edhe afaristi Sylejman Konushevci, gjatë një takimi me ambasadorin slloven.
“Ne si komunitet i biznesit kemi kërkesë ndaj ambasadës, kur dihet se ne na duhet të aplikojmë për viza. Kjo është një vlerë shumë e madhe dhe humbje kohe, minimum një deri një muaj e gjysmë, derisa të sigurohet garancioni e të tjera. Kështu që kisha shprehur dëshirën që ato viza, përkatësisht procedurat të na i lehtësoni”, thekson Konushevci.

Por, ambasadori i Sllovenisë në Kosovë Miljan Majhen, thotë se nuk mund të bëjnë më shumë se sa respektimi i procedurave sipas rregulloreve në fuqi. “Sa i përket vizave e dini se Sllovenia është anëtare e hapësirë së Shengenit, ku vlejnë disa rregulla. Tash nga 25 shtatori kanë hyrë në fuqi rregulloret e reja, me ç’rast duhet të merren shenjat e 10 gishtërinjve dhe kjo vlen 5 vite, përkatësisht 59 muaj dhe kjo vlen në çdo ambasadë. Shembull nëse jepni shenjat në Ambasadën sllovene, atëherë nuk iu duhet gjatë kërkesës për vizë për Gjermani të jepni shenjat përsëri, pasi që ato shenja kanë hyrë në sistem të Shengenit”, tha Majhen.

Se nuk mund të dalin jashtë rregulloreve të Shengenit, ka thënë për Radio Kosovën edhe ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla. “Vendet e Shengenit kanë rregulla të përbashkëta, që janë të detyrueshme për të gjithë anëtarët, kështu që nuk ka lehtësi apo vështirësi, ka një proces normal”, pohoi Balla

Afaristët ashtu si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës si duket do të ballafaqohen me problemet e lëvizjes së lirë dhe të pajisjes me viza në hapësirën e Shengenit, deri në liberalizim plotë të vizave, proces ky i cili nuk dihet se kur do të ndodhë. /Telegrafi/

Exit mobile version