Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot një grup investitorësh gjerman të udhëhequr nga Christian Wiesenhutter – kryetar i Odës Ekonomike të Berlinit – dhe kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, Mustafë Abazi, me te cilët ka diskutuar për gjetjen e mundësive që afaristët gjermanë të investojnë në Podujevë.
Në këtë takim Veliu njoftoi mysafirët me politikat që ka hartuar Komuna në favor të zhvillimit ekonomik, duke përmendur Strategjinë për Zhvillim Ekonomik Lokal dhe Planin Zhvillimor Lokal.
Duke iu referuar orientimeve strategjike të Komunës së Podujevës, ai përmendi investimet në bujqësi, kryesisht në përkrahjen e kultivimit të mjedrës, investime të cilat tha se po ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal dhe në punësimin e qytetarëve të Podujevës.
Ai prezantoi para afaristëve gjermanë kërkesën dhe nevojën e madhe që kanë kultivuesit e mjedrës në Podujevë për ngritjen e një qendre grumbulluese, që do të ndikonte edhe në stabilitetin e çmimit të kësaj kulture.
Wesenhutter shprehu zotimin e tij se institucioni që ai drejton do të angazhohet në orientimin e bizneseve gjermane për investime në Komunën e Podujevës.
Ndërkaq, Abazi prezantoi idenë e biznesit që ai drejton, për investim të mbi tre milionë eurove në ndërtimin banjës termike në fshatin Sallabajë të Podujevës, projekt ky që tashmë ka filluar të realizohet. /Telegrafi/