Sektori privat në Maqedoni pak i shfrytëzon përfitimet e teknologjisë informatike për t’u zhvilluar dhe për të nxjerrë në treg prodhime të reja inovative.
Këtë, siç shkruan gazeta KOHA, e dëshmojnë edhe analizat e ndryshme relevante ndërkombëtare, sipas të cilave kompanitë në vend pak janë të orientuara ndaj zbatimit të teknologjive të reja dhe risive në prodhime dhe shërbime për konsumatorët e tyre. Madje, 70 për qind e kompanive nuk përdorin teknologji të reja dhe moderne në punën e tyre, edhe pse ato janë kyçe për zhvillim më të madh dhe konkurrencë të prodhimeve, tregojnë analizat e Forumit Ekonomike Botëror.
Njohësit e teknologjisë informatike thonë se bizneset në Maqedoni vështirë adaptohen me trendet e reja të punës për shkak se më shumë janë të orientuara të mbajnë gjallë biznesin, se sa të investojnë në modernizimin e procesit të punës.
“Shkaku i parë dhe kryesor për përdorimin e ulët të risive teknologjike nga ana e kompanive vendore, edhe përkundër shumë përfitimeve që sjell përdorimi i tyre, është se biznesi disa vite me radhë gjendet në një situate të krizës dhe punon në kushte mjaft të pa lakmueshme. Si shkak i dytë është fakti se në kushte kur nuk ka zgjerim të punës, biznesi më shumë është i orientuar në mbijetesë dhe së pari shkurtohen shpenzimet dhe nuk mendohet për investime të reja, qoftë edhe në teknologjinë informatike. E treta, ndoshta si shtet disponojmë edhe me fuqi të lirë punëtore që firmat i orienton që të angazhojnë punëtorë që disa punë ti kryejnë me dorë në vend se përmes softuerit, që ka edhe harxhime të caktuara si mirëmbajtja e kështu me radhë”, thotë për KOHA eksperti i teknologjisë informatike, Behar Haxhihamza.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se shumica e bizneseve janë të aftësuara në aspekt të punës digjitale, por shumë pak janë të orientuara të punojnë në këtë drejtim.
“Shumica e bizneseve janë të aftësuara dhe të orientuara në aspektin digjital të punës, ku një pjesë e tyre kanë më shumë vetëdije dhe të tjerat më pak vetëdije për aspektin digjital të punës. Si sfida të mëdha për bizneset tregohet mungesa e njohurive të nevojshme dhe kompleksiteti i proceseve në kompanitë, ndërsa tek shumica e kompanive mbretëron mendimi se kjo çështje nuk është aq urgjente. Puna digjitale në mesatare sot është në nivelin e 10 për qind të punës së përgjithshme të kompanive që tregon se ekziston potencial i madh për transformimin digjital të punës së kompanive. Nga ana tjetër tregohet se kompanitë që kanë realizuar transformimin digjital tani janë me 26 për qind më profitabile”, tregojnë analizat e Odës Ekonomike të Maqedonisë.
Ndryshe, ekspertët e teknologjisë informatike vlerësojnë se gjeneratat e reja janë të prirura që më lehtë të pranojnë dhe përdorin risitë e ndryshme përfshi edhe ato të teknologjisë informatike, andaj edhe posedojnë së paku njohuritë themelore të teknologjisë informatike.
Nga ana tjetër, tek gjeneratat më të vjetra ekziston akoma rezistencë ndaj përdorimit të kompjuterëve dhe telefonave të mençur. Kjo është edhe e kuptueshme për shkak se gjeneratat më të reja janë lindur në kohën kur me të madhe shfrytëzohej teknologjia informatike dhe më shumë përdorin mundësitë teknologjike dhe të komunikimit që ofron hapësira e internetit.
Nga ana tjetër, gjeneratat më të vjetra në parim vështirë pranojnë risitë dhe ndryshimet dhe ju nevojitet më shumë kohë që të adaptohen dhe të ndryshojnë shprehitë e tyre për shfrytëzimin e kompjuterit në jetën e përditshme por edhe në punë. Gjithashtu, të rinjtë që nga mosha më e vogël e mësojnë gjuhën angleze, luajnë lojëra të ndryshme në internet, andaj edhe nesër shumë më lehtë e kanë të mësojnë shkathtësi të ndryshme kompjuterike.