Telegrafi

Biznesi ndihmon integrimin evropian të Kosovës

Eksperti Ibrahim Hoxha ka thënë se roli i ekonomisë në proceset integruese është dëshmuar të jetë kyç në integrimet e mëvonshme politike e sociale.

“Bashkimi Evropian ka filluar të integrohet në dimensionin ekonomik dhe për këtë Qeveria e Kosovës duhet të hartojë politika zhvillimore dhe ambiente të përshtatshme për thithjen e investimeve si dhe zhvillimin e biznesit”, ka theksuar ai, duke shtuar se shteti i Kosovës duhet t’i mbrojë investimet e secilit biznes që operon në mënyrë legale në Kosovë.

Kurse eksperti dhe ligjëruesi i Integrimeve Ekonomike Evropiane në Institutin Universum, Alejtin Berisha, ka thënë se komuniteti i biznesit duhet të jetë shumë aktiv në procesin e integrimit evropian.

“Kushti themelor për integrim evropian lidhet me ‘fuqinë’ konkurruese të biznesit të Kosovës, dhe në përgjithësi të tregut të Kosovës. Prandaj, një biznes i fuqishëm është arsye që integrimi i Kosovës në BE nuk disbalancon ofertën dhe kërkesën e tregut të përbashkët evropian, prandaj edhe është i rëndësishëm roli i biznesit në këtë proces”, ka theksuar ai për gazetën.

Sipas tij, komuniteti duhet të bëjë presion për liberalizimin e mëtejmë të ekonomisë së Kosovës dhe zbutjen e rolit të shtetit në ekonomi, përfshirë edhe fuqizimin e politikave të konkurrencës dhe ruajtjen e tregut nga monopolet e mundshme.

“Komuniteti i biznesit duhet të sigurojë që, aftësia e tyre konkurruese të mund të jetë e ‘vetëmjaftueshme’ në çastin e hapjes së tregut të Kosovës përballë BE-së. Kjo do të siguronte që kriteri ekonomik i Kopenhagës të jetë i plotësuar nga Kosova”, është shprehur ai, duke shtuar se komuniteti i biznesit duhet ta rrisë aftësinë e tij konkurruese duke rritur efikasitetin e tij.

“Kjo arrihet nëpërmjet ndërtimit të një ambienti konkurrues, i cili është i favorshëm për investitorët e huaj dhe ku biznesi lokal ofron aftësi krahasuese, më shumë sesa në tregjet rajonale, për investimet e huaja direkte, që është vetëm njëra anë e detyrës që ka komuniteti i biznesit”, ka vlerësuar Berisha.

Edhe njohësi i Ekonomisë dhe Integrimeve Evropiane, Labinot Lekaj, ka thënë se roli i komunitetit të biznesit në proceset e integrimeve evropiane, duhet të jetë më shumë rol lobues, duke pasur parasysh faktin se bizneset kosovare kanë raporte edhe me bizneset e vendeve evropiane që ende se kanë njohur Kosovën si shtet.

“Lobimi në këtë drejtim do të kishte efekte pozitive për ndryshimin e qasjes së këtyre shteteve ndaj Kosovës, andaj komuniteti i biznesit duhet që në të ardhmen të shkëmbejë më shumë përvoja me vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai. (epoka/telegrafi)