Aktivitetet e biznesit në Eurozonë është rritur mbi pritshmëritë gjatë muajit dhjetor, edhe pse hap i zgjerimit mbetet i dobët. Kështu indeksi PMI ka rezultuar në nivelin 51.7, ndryshe nga parashikimi prej 51.5. Indeksi mbi nivelin 50 tregon se sektori është në rritje. Të dhëna jo edhe aq pozitive vijnë nga Gjermania, ekonomia më e madhe e Eurozonës.
Sektori privat gjerman ka ecur me ritmet më të ngadalta të 18 muajve të fundit. Në këto të dhëna negative duket se ka ndikuar kryesisht rënia e aktivitetit në sektorin e shërbimeve. Indeksi PMI ka rënë në nivelin e 51.4 gjatë muajit dhjetor të këtij viti, nga 51.7 që ishte një muaj më parë. Edhe pse ky indeks ka qënë për të 20 muajin radhazi në nivelin mbi 50, rezultatet tregojnë për performancën më të dobët të një periudhe kohore prej një viti e gjysmë.
Bizneset e reja nga ana tjetër duket se po japin shenja jo të mira, duke qënë në rënie për të dytin muaj radhazi, deri në nën indeksin prej 49 pikësh gjatë muajit dhjetor të këtij viti. Indeksi i cili mat vetëm aktivitetin e shërbimeve ka rënë në nivelin e 51.4 pikë, më i ulëti në 17 muaj, nga 52.1 që ishte një muaj më parë, dhe shumë më poshtë pritshmërive prej 52.5.
Nga ana tjetër prodhimi është ai që ka ndikuar që rënia të mos jetë dramatike, duke regjistruar si sektor një rritje në indeks nga 49.5 në muajin nëntor, në 51.2 aktualisht. Pozitive nga ana tjetër mbeten të dhënat që vijnë për sektorin privat nga Franca, duke regjistruar kështu një rritje në indeks nga 47.9, një muaj më parë, në 49.8, duke mundur kështu edhe pritshmëritë të cilat flisnin për një nivel në 48.3. /Telegrafi/