Site icon Telegrafi

Biznesi i kryetarit të Shtimes, Naim Ismajli me prona

Në vendin ku planifikohej të ndërtohej parku i qytetit në Shtime, po ndërtohet objekti shtatë-katesh në të cilin hisedar është vetë kryetari i kësaj komune Naim Ismajli. Madje ai tash e një vit është edhe bashkëpronar i truallit, të cilin pesë vite më parë komuna vendosi ta kthejë në pronë publike.

Gazeta Fjala sjellë dëshmi se si kryetari Ismajli zonën me interes për shoqërinë e shndërroj në përfitim personal. Bëhet fjalë për ngastrat me numër. Nr.1843-0 pronar i së cilës ishte Stakiç Mlladen (Trajka), me 12.55 ari, dhe tjetra me numër Nr.1845-0 e pronarit Stakiç Stojanka (E veja e Vladimirit) me sipërfaqe prej; 8.77 ari.

Parcelën me sipërfaqe prej afro 9 ari ai e bleu vjet për 60 mijë euro bashkë me dy persona të tjerë. Gazeta Fjala mëson se në vitin 2012, Kuvendi Komunal, me 19 vota “Për”, dhe me 1 votë “Abstenim”, vendosi që t`i rekomandojë Drejtorisë për Planifikim Urban, Kadastër dhe Gjeodezi që: Në rast se këto dy parcela dalin në shitje nga pronarët e tyre, atëherë të njoftohet Kuvendi Komunal, për t`i shpallë zonë me interes të përgjithshëm, për të filluar procedura për shpronësim.

“…sepse Komuna e Shtimes është e interesuar që këto parcela t`i shpallë me interes të përgjithshëm, për ndërtimin e një parku gjelbërues për të rijnë, buzë lumit Shtimjanja”, thuhet në procesverbalin e mbledhjes së kuvendit 01/102, të datës 30.4.2012.

Ky propozim kishte ardhur nga grupi parlamentar i LDK-së dhe i përkrahur nga këshilltarët e tjerë komunal.

Por, ky institucion duket se me kalimin e kohës humb interesin për të ndërtuar park dhe i hap rrugë shitjes dhe ndërtimit të objektit banesor.

Kështu në prill të vitit 2015, këshilltarët komunal vendosin me 10 vota pro dhe një kundër, për anulimin e vendimit të mëparshëm për shprehje të interesit për t’i shpallur ngastrat zonë me interes të përgjithshëm.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli ka konfirmuar për Gazetën Fjala se është hisedar në tokën ku është duke u ndërtuar një kompleks banesor. Po ashtu ka bërë të ditur se atë hapësirë e kanë dhënë me koncesion për të fituar rreth 7 për qind nga ndërtimi.

Ismajli pretendon se nuk ka asgjë të jashtëligjshme në tërë këtë proces, por sipas tij politika është duke ndikuar që t’i behët presion.

“Procedurat janë krejt në rregull… Unë jam njëri nga blerësit, bashkë me një blerës tjetër. Këtu s’ka asgjë të keqe, nuk ka as konflikt interesi asgjë”, thotë Ismajli.

“Ajo nuk ka qenë pronë e komunës ka qenë e shpallur zone më interes në të kaluarën. Mirëpo prapë interesi i komunës nuk ka qenë, sepse thjeshtë vendimi kur është marrë është kanë çështje e kuvendit jo e kryetarit, kuvendi ka vendos ndryshe edhe ajo pronë u lirua”.

Ismajli blerjen e kësaj prone e ka bërë publike edhe në deklarimin e pasurisë, pasi sipas tij se këto blerje nuk mund të fshihen megjithëse nuk është shume e qartë prej nga i ka siguruar 60 mijë euro kryetari i Shtimes ta blej këtë pasuri.

“Po unë i kom të deklaruar ato prej kah i kom marrë. Janë ato kreditë, llogaria jem bankare çdo lëvizje prej xhirollogarisë sime. Normal ato mund te kontrollohen, janë organet qe i kontrollojnë ato kështu unë jam i vetëdijshmen se kur e blej një pronë publike në xhep nuk e shti ata. Është e deklaruar në kuptimin e asaj që me vetë faktin që deklarohet kah prejardhje”, ka treguar Ismajli.

Akuzat për trysni tek anëtarët e Kuvendit Komunal, ai thotë se po i bëhen nga kundërshtarët politik.

Labinot Beqa, këshilltar komunal nga Lëvizja Vetëvendosje është ndër të vetmit që e ka ngritur si shqetësim këtë çështje në Kuvend, ndërkohë që edhe një asamblist i PDK-së ka votuar kundër.

Ai nuk ka shpresë se institucionet e drejtësisë do të marrin masa ndaj kreut të Shtimes.

“Prokuroria s’ka çka i bën pasi vota e asamblistëve është votë e lirë. Por kjo është bërë me urdhër të tij (Naim Ismajlit)”, thotë Beqa për Gazetën Fjala.

Sipas tij kjo tregon më së miri se çfarë janë në gjendje të bëjnë pushtetarët duke keqpërdorur fuqinë politike.

“Dhe shqetësimi tjetër është se ku po i merr paratë dhe si po e shfrytëzon pozitën zyrtare kryetari”, pyet ai.

Megjithatë, për të gjitha procedurat Ismajli thotë se është “komplet i pastër si loti, me prejardhje me gjitha”. /Gazeta Fjala/Telegrafi/

Exit mobile version