Site icon Telegrafi

Biznesi i shuar kërkon gjysmë milionë euro nga NPB-ja

Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) në Prishtinë përmes një shkrese ka kërkuar nga Njësia për Krime Ekonomike e Policisë së Kosovës fillimin e hetimeve të një kontrate mes kësaj ndërmarrjeje dhe kompanisë NNP “Euroing”, nga Suhareka.

Në kërkesën e kompanisë, drejtuar Policisë e që e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se ish-menaxhmenti i NPB-së me rastin e lidhjes dhe më pas shkëputjes së njëanshme të kontratës për përfundimin e ndërtimit të objektit në rrugën “Eqrem Çabej”, në Prishtinë, ka dëmtuar rëndë ndërmarrjen.

“Këto dyshime forcohen edhe më tepër me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit lidhur me kontestin që është duke u zhvilluar sipas padisë së NNP ‘Euroing’ nga Suhareka lidhur me shkëputjen e njëanshme të kontratës nga ish-menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje”, thuhet në kërkesën e menaxhmentit.

Më tej thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë në një afat rekord prej 7 ditësh, nga dita e dhënies së fjalës përfundimtare, ka marrë aktgjykimin në favor të palës paditëse, ku të njëjtin aktgjykim e ka vërtetuar Gjykata e Apelit për më pak se 8 muaj nga dita e paraqitjes së ankesës e që, sipas menaxhmentit aktual, është kohë tepër e shkurtër për vendosje në mënyrë meritore, duke marrë parasysh natyrën voluminoze të kësaj lënde.

“Sa për informatë NPB-ja në shumë konteste civile-juridike të kësaj natyre, të vendosura në favorin e saj në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pret përgjigje për vite të tëra nga Gjykata e Apelit edhe përkundër urgjencave të dërguara në institucione përgjegjëse”, thuhet në shkresën që menaxhmenti i NPB-së ia ka dërguar Njësisë për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version