Telegrafi

Biznesi do një treg për konsumatorët e Shqipërisë dhe Kosovës

Në këtë panair do të marrin pjesë rreth 60 kompani të fuqishme, ndërsa 20 prej tyre pritet të jenë nga Kosova.

Nga Kosova merret vesh se në panair do të prezantohen kompanitë elitë si PTK, e cila ka një fitim prej 100 milionë eurove, “IPKO”, ”Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës”, “Dukagjini”, “Devolli” dhe shumë kompani të tjera lidere në treg.

“Panairi është pjesë e rëndësishme e nismës se Alb-Konfindustrisë per krijimin e Tregut Mbarëkombëtar Shqiptar, prej 7 milionë konsumatorëve. Në panair janë ftuar të marrin pjesë vetëm kompanitë shqiptare lidere në fushat e tyre. ‘Prodhimi Shqiptar 2008’ është ftesë për qytetarët shqiptarë që të konsumojnë prodhime dhe shërbime vendore të industrive shqiptare”, tha për “Telegrafi.com”, Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfederatës së Industrive Shqiptare.

Ky panair i parë mbarëkombëtar me emrin “Prodhimi Shqiptar 2008”, organizohet në Pallatin e Kongreseve, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të Shqipërisë dhe partnerët institucionalë në konfederatës në Bashkimin Evropian”.

“Qëllimi i panairit është paraqitja e industrive më të rëndësishme mbarëshqiptare, prodhimeve dhe shërbimeve që ata ofrojnë në kushtet e garës së ashpër në tregun global si dhe e projekteve te tyre te zhvillimit. Pas këtij panairi presim që bashkëpunimi ndërshqiptar të rritet fuqishëm drejt krijimit të tregut të përbashkët. Shqipëria dhe Kosova kanë çka ti shesin njëra-tjetrës. Por ky biznes presim se do të rritet veçmas pas përfundimit të autostradës vitin e ardhshëm. Ne si konfindustri duhet ti paraprimë autostradës dhe të vendosim lidhje të ngushta”, theksoi Buxhku.

Ditë më parë ai ka kritikoi marrëdhëniet e pakta dhe shkëmbimet e ulëta tregtare mes dy vendeve

Sipas tij, vendimmarrja politike në të dy vendet nuk po bën përpjekjet e duhura lidhur me shfrytëzimin e mundësive të shumta të bashkëpunimit, duke mos ju përgjigjur siç duhet dëshirës dhe vullnetit të industrive, biznesit dhe qytetarëve për shtimin e detyrueshëm të marrëdhënieve.

“Me përjashtim te investimit të lavdërueshëm në rrugën me rendësi strategjike Durrës-Morinë nga Qeveria e Shqipërisë, dëshirën e shprehur të Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e pjesës se mbetur të saj deri ne kufirin me Serbinë, si edhe disa projekteve te bashkëpunimit ne fushën e shkëmbimeve energjetike, pjesa tjetër e marrëdhënieve institucionale ndërmjet dy vende mbetet vetëm ne planin protokollar dhe propagandistik”, ka thënë Buxhuku.

Deficiti tregtar i të dy vendeve tona kap shifra në mbi 4 miliardë euro. /Telegrafi/