Site icon Telegrafi

Bizneset pezullojnë investimet

Moskonstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re po lë pasoja të rënda në zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo situatë politike ka bërë që shumë investitorë të mos ndihen të sigurt të investojnë në këtë kohë. Kjo është dëshmuar edhe me ofertimin e vetëm të një kompanie për projektin e ‘Brezovicës’.

Për koncesionimin e saj fillimisht kishin shprehur interesim shtatë konsorciume, ndërsa ishin parakualifikuar katër, por nga katër të parakualifikuarat vetëm një konsorcium ka ofertuar. Ekspertët vlerësojnë se krejt kjo ka të bëjë me krizën politike, pasi, sipas tyre, investitorët seriozë nuk ndihen të sigurt që në këtë kohë të investojnë, shkruan Kosova Sot.

Megjithatë, zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë nuk e kanë pranuar se koncesionimi i ‘Brezovicës’ është i lidhur me situatën politike. Ata thonë se projekti i Brezovicës është në proces të vlerësimit të ofertës nga ana e ekspertëve.

Lulzim Demolli, këshilltar për medie në MTI, ka thënë se ky proces nuk është i lidhur me proceset politike. Ai thotë se oferta e ofertuesit të vetëm është duke u vlerësuar dhe se ajo me ligjet në fuqi koha e vlerësimit të ofertës është 180 ditë. /Telegrafi/

Exit mobile version