Site icon Telegrafi

Bizneset në Vlorë me sytë nga punëtorët e huaj, hotelierët nga Turqia të kënaqur me pagesën: Atje nuk mund të fitosh këto para

Në prag të çeljes së sezonit turistik në Vlorë, mungesa e krahut të punës është sfida kryesore. Largimi i të rinjve shqiptarë ka bërë që operatorët të hedhin sytë nga të huajt.

Dy shtetas turq shprehen të kënaqur me vlerësimin në profesionin që ushtrojnë.

“Rroga është shumë e mirë, nuk mund të fitosh kaq në Turqi. Rroga më mjafton mua dhe familjes të cilët i ndihmoj. Jam një hotelier në profesion, kam 6 vjet qe punoj. Rroga është shumë e mirë, në Turqi ti nuk mund të fitosh të njëjtën rrogë, në vende të ndryshme ka pagesa të ndryshme, por unë jam i kënaqur këtu”, thonë ata.

Por shtetasit shqiptarë që ushtrojnë profesione të ngjashme, e shohin si sfidë punësimin e të huajve, pasi konkurenca mund t’i rrisë profesionalisht.

“Është kënaqësi të kemi punëtorë të huaj pasi kjo na ndihmon që të rritemi profesionalisht  dhe të kemi konkurencë mes njëri-tjetrit, e shikojmë më tepër si rritje profesionale sesa si pengesë apo diskriminim”, thotë një barist.

Menaxheri i një biznesi pranon që të huajt janë dyndur në tregun shqiptar të punës, veçanërisht në sektorin e turizmit.

“Vitet e fundit ka shumë të huaj që po i afrohen sektorit të turizmit shqiptar, për shkak edhe të eksperiencës që kanë në vendet e tyre, por nuk do të thotë që ata paguhen më shumë se shqiptarët, ne kemi filozofinë që profesionisti paguhet gjithmonë”, shprehet menaxheri Jetmir Shabani.

Në zyrën e migracionit për periudhën Janar-Prill rezultojnë të punësuar apo vetë punësuar 400 shtetas të huaj. Dominojnë italianët, por ka edhe shtetas turq, indian, filipinas dhe polakë. Në sektorin e turizmit, sipas zyrës së punës, rezultojnë 94 persona të huaj të punësuar me kontrata të rregullta./Euronews Albania

Exit mobile version