Bizneset në Vlorë, kryesisht ato të lokaleve dhe restoranteve përgjatë Lungomares, kanë paralajmëruar se do të mbajnë një protestë ditën e hënë në lidhje me masat anti-COVID.
Ata kërkojnë shtyrje të orarit të mbylljes dhe atë për lejimin e muzikës duke qenë se ndodhen në kulmin e sezonit turistik.
Ndërkohë, një ditë para protestës së paralajmëruar, një pjesë e madhe e lokaleve e kanë mbyllur muzikën në orën 22.00 me himnin kombëtar.
Por gjatë mbrëmjes së diel nuk kanë munguar as incidentet. Pronari i një biznesi dhe një grua janë shoqëruar në komisariat.
Pamjet tregojnë oficerë të policisë që shoqërojnë me forcë një zonjë, ndërsa shumë prej të pranishmëve i dalin në krah duke i kërkuar Policisë që ta lënë të lirë.
Në bazë të masave kufizuese që janë aktualisht në fuqi, të gjitha bizneset duhet të ndërpresin muzikën në orën 22:00, kurse në orën 23:00 çdo aktivitet duhet të jetë i mbyllur.
Gjithashtu që prej 1 korrikut, sipas udhëzimeve të Komitetit të Ekspertëve për masat anti-COVID, baret restorantet dhe hoteleria duhet të punojë me 30 për qind të kapacitetit.
Këto masa sipas drejtuesve të bizneseve po i shtyjnë drejt falimentit pasi vijnë pas një sezoni turistik të cunguar për shkak të pandemisë.