Rreth 460 mijë qytetarë të Maqedonisë së Veriut nuk kanë mundësi të sigurojnë më shumë se një vakt ushqimi në ditë për shkak të varfërisë së skajshme, ndërkohë që vendi radhitet në pozitën e dhjetë në botë sa i përket hedhjes në mbeturina të ushqimit të tepërt, thonë nga organizata joqeveritare “Ajde Maqedoni”.
Ndërkohë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thonë se po punohet në përpilimin e një ligji që do të rregulloj me norma ligjore kushtet që duhet plotësuar për dhurim të ushqimit të tepërt dhe i njëjti pritet të marrë dritë jeshile në Parlament deri në fund të këtij viti.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka angazhuar dikasterin e Bujqësisë dhe Agjencinë për Ushqim për të përgatitur ligjin për dhurimin e ushqimit të tepërt.
Nga organizata joqeveritare “Ajde Maqedoni”, e cila gjatë vitit të kaluar realizoi projektin “Të gjithë të ngopur”, që grumbulloi ushqimin e tepërt nga vise të ndryshme të vendit dhe ky ushqim u shpërnda njerëzve në nevojë, bëjnë të ditur se në Maqedoninë e Veriut kompanitë e ndryshme që merren me industrinë e ushqimit, brenda vitit hedhin në mbeturina deri në dhjetë mijë tonë ushqim.
Bllazhe Josifovski nga kjo organizatë, për Radion Evropa e Lirë sqaron se rregullativa ligjore që ka të bëjë me dhurimin e ushqimit, nuk duhet të vendosë barriera për të dhuruar ushqimin edhe pse procesi është i ndërlikuar, për shkak se përplasen kompetencat e shumë institucioneve dhe ministrive.
Sipas tij, procesi është i ndërlikuar sepse dikasteri i Drejtësisë rregullon çështjen e dhurimit, Ministria e Bujqësisë është kompetente për sigurimin e ushqimit, ndërkaq përgjegjëse për lirimin nga tatimi është Ministria e Financave.
“Mendoj se ligji do të pësojë më shumë ndryshime teksa do të kalojë në shumë duar për të marrë formë, siç janë ministritë e ndryshme, vendimet e Qeverisë dhe ndërhyrjeve me amendamente në Parlament. Kështu që shpresoj që deri në fund të këtij viti në Maqedoninë e Veriut të kemi një ligj, për të cilin do të mund të bëjmë komente plotësuese”, thotë Josifovski.
Ky ligj pritet të rregullojë kushtet për dhurimin e ushqimit të tepërt, pritet të lirojë nga një pjesë e caktuar e obligimeve tatimore kompanitë që janë pjesë e zinxhirit të prodhimit, përgatitjen dhe shitjen e ushqimit, siç janë dyqanet, furnizuesit, prodhuesit, restorantet etj.
Afaristët, ndërkaq, thonë se do t’i ndihmojnë në masë të konsiderueshme kompanitë që merren me industrinë e ushqimit.
“Bizneset që përfaqëson oda jonë (Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore), kanë përgjegjësi shoqërore dhe gjithsesi se ata do të kishin interes të japin kontribut në atë që është e mirë e përgjithshme për shoqërinë. Çdo lehtësim tatimor është i mirëseardhur për biznesin, por mbi të gjitha duhet pasur parasysh faktin për zbatim të drejtë të ligjit, që të mos kemi drejtësi selektive” .
“Mund të themi se nisma që me ligj të rregullohet çështja e dhurimit të ushqimit të tepërt është e pranueshme për biznesin, por mbetet të shihen detajet e këtij propozim-ligji që të mund të flasim për efektin real të zbatimit të këtij ligji”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, transmeton Koha.mk
Përderisa organizatat joqeveritare thonë se e rëndësishme është definimi i qartë i ligjit, në pjesën që ka të bëjë me monitorimin e shpërndarjes së ushqimit të dhuruar deri te personat në nevojë, ku rol të veçantë, përpos institucioneve kompetente të pushtetit qendror, të kenë edhe komunat në bashkëpunim me sektorin civil./REL/