Telegrafi

Bizneset në luftë për mbijetesë

Nuk është krejt e rastësishme që në Kosovë të sheh syri ngado qebaptore, shitore të vogla, lokale dhe sallone të ndryshme. Ndërmarrje si këto, që punësojnë 1 deri në 4 persona, përbëjnë 96 për qind të bizneseve në përgjithësi. Në tremujorin e katërt të vitit 2010 janë regjistruar 1665 ndërmarrje, prej të cilave 1611 apo 96 për qind, ishin të vogla dhe që kanë punësuar 1 deri në 4 persona.

“Vërehet një diferencë në mes tremujorëve për 135 ndërmarrje, shprehur në përqindje
vërehet një rënie prej 8.1 për qind”, thuhet në publikimin e fundit të ESK-së mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë.

Nga afaristët kjo shpjegohet me atë se bizneset kanë aq shumë probleme, sa u bie më lehtë të mbijetojnë si të vogla dhe pa kosto shumë të lartë. Ndërkaq, ekonomistët e bëjnë shkak potencialin e vogël ekonomik që ka Kosova.

Por, ka edhe ndërmarrje që po e reduktojnë numrin e punëtorëve, për shkak të ngarkesave tregtare. Bashkim Osmani, përfaqësues i fabrikës së lëngjeve në Kosovë, thotë se eksporti i tyre drejt vendeve tjera ka rënë për 10 për qind më pak nga 35 sa ishte në vitin e kaluar. “Nëse nuk vazhdohen këto preferenca, ne do të jemi të detyruar të ulim prodhimin e të largojmë nga 8 punëtorë nga kompania”, thotë Osmani.

Mungesa e lehtësirave tregtare për eksportin e mallrave jashtë vendit po ndikon shumë tek ndërmarrjet vendore. Eksporti i produkteve të tyre ka rënë për 10 për qind më pak në muajin janar, në krahasim me muajin dhjetor. Thonë se kështu siç po ecën, ata do të ulin prodhimet për shkak të pamundësisë për eksport, e me këtë do të jenë të detyruar të zvogëlojnë numrin punëtorëve.

Megjithatë, njohësit e ekonomisë thonë se nuk është gjithmonë lufta për mbijetesë arsyeja. Është edhe potenciali i vogël ekonomik që ka Kosova për krijimin e ndërmarrjeve të mëdha dhe informaliteti. Kjo e fundit nënkupton që bizneset në shumë raste nuk e deklarojnë numrin e saktë të punëtorëve.

Berat Rukiqi, sekretar në Oden Ekonomike të Kosovës, thotë se potenciali ekonomik i Kosovës nuk krijon mundësi për ndërmarrje të mëdha. Në ketë drejtim thotë se po ndihmon edhe informaliteti.

Sipas raportit të ESK-së mbi ndërmarrjet, aktivitetet ekonomike me të preferuara mbesin tregtia me 646 ndërmarrje, hotelet dhe restorantet me 183, transporti depot dhe telekomunikacioni me 169. Pastaj vjen industria përpunuese me 165 ndërmarrje, pasuritë e patundshme dhe dhënia me qira me 147, ndërtimtaria me 114 dhe aktivitetet tjera shoqërore dhe personale me 109 ndërmarrje. /Express/Telegrafi/