Ahmet Sedefi, pronar i Kompanisë “Sedefi”, e cila merret me prodhimin e produkteve të ndryshme ushqimore, thotë se si kompani përballën më mungesë të kuadrove profesionale.
“Kuadrot profesionale mungojnë si në prodhim, si në kontabilitet. Kjo dukuri e dëmton tregun, por me kuadro profesionale ka edhe vende të reja të punës. Kemi nevojë për teknolog, kemi nevojë për saldues, kemi nevojë për mjeshtër të elektrikes”, thotë Ahmet Sedefi, për RTV Dukagjinin.
Sipas Sedefit, kjo dukuri po dëmton mbarëvajtjen e bizneseve në Kosovë.
E arsyet pse shpien deri të kjo mungesë i shpjegon kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi.
“Kemi një hendek të theksuar në mes të asaj që po ofron sistemi arsimor, me atë që po kërkohet në tregun e punës. Ne e dimë, që pas luftës janë kërkuar disa profile në administratën publike dhe në sektorin financiar, por tashmë gjërat kanë ndryshuar”, thotë Rukiqi, përcjell Telegrafi.
Ai shton se mungesat me të theksuara janë në sektorin prodhues dhe atë të shërbimeve.
“Në përgjithësi të sektori prodhues dhe sektori i shërbime kemi mungesa të theksuara të personave që kanë shkathtësi, që realisht u mundësojnë kompanive të jenë konkurruese”, deklaroi Rukiqi.
Sipas Rukiqit, mungesa e kuadrove profesional po shkaktohet si pasojë e një qasje jo e koordinuar mes nivelit qendror dhe atij komunal në stimulimin e drejtimeve profesionale. /RTV Dukagjini/Telegrafi/