Telegrafi

Bizneset në Itali do të hapen gjatë muajit të ardhshëm, shkollat mbesin të mbyllura deri në shtator

Kryeministri italian, Giuseppe Conte ka bërë të ditur se disa biznese në Itali do të hapen gjatë muajit të ardhshëm, si pjesë e lehtësimit të masave të mbylljes shkaku i coronavirusit.

Megjithatë, shkollat mbesin të mbyllura deri në shtator, pasi është vlerësuar se mësimi në distancë është treguar shumë efikas, transmeton Telegrafi.

“Jemi duke punuar, që t’ju mundësojmë bizneseve kryesore, si prodhimtaria dhe ndërtimtaria, të hapen nga katër maji”, ka thënë kryeministri Conte.

Por, para se të hapen, bizneset duhen t’i përmbahen rregullave të ashpra të sigurisë, që të dezinfektojnë dhe t’i përshtatin hapësirat për distancë sociale, para se t’i hapin dyert për klientë.

Ai tha se bizneset e para që do të hapen, janë ato që konsiderohen si strategjike, ku përfshihen prodhimtari që prodhojnë mallra për eksport.

Sa i përket veprimtarive dhe kohës së hapjes së tyre, do të vendoset nga kryetarët dhe këshillat e komunave përkatëse.

Që tani është bërë e ditur se shkollat nuk do të hapen deri në shtator, derisa do të vazhdojë mësimi në distancë, ndërsa nuk është bërë e ditur se si do të vlerësohen nxënësit pas përfundimit të vitit akademik. /Telegrafi/