Site icon Telegrafi

Bizneset mikro dhe të vogla me rritje

Janë prezantuar rezultatet e hulumtimit të bërë mbi gjendjen e NVM-ve në Kosovë. Ky hulumtim është bërë në kuadër të projektit KOSME, projekt i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim, Agjencia Zvicërane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe i bashkë financuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Ky hulumtim ka përfshirë 750 ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Ky hulumtim kishte për qëllim identifikimin e ngecjeve dhe sfidave të bizneseve, të sigurojë bazën për rekomandime të politikave zhvillimore si dhe ta vlerësojë përshtatshmërinë e tyre. Ky hulumtim ka rezultuar në të kuptuarit më të mirë të sektorit të NVM-ve, zhvillimin e ndërtimit të politikave për SME dhe faktikisht të zhvillimit të sektorit të SME.

Rezultatet tregojnë që gjatë periudhës 2010-2013, sektori privat është zhvilluar në mënyrë shumë dinamike. Përderisa, rritja më e madhe është paraqitur tek bizneset mikro dhe të vogla. Ky hulumtim po ashtu ka treguar për karakteristikat e bizneseve që udhëhiqen nga femrat, moshën e ndërmarrësve, anëtarësimin e bizneseve në shoqata dhe rrjete tjera të biznesit, strategjitë dhe gjendjen ekonomike të bizneseve, financimin e investimeve, aktivitetet internacionale të bizneseve, mbijetesën dhe zhvillimin e bizneseve të sapo-formuara, suksesin e krijimit të vendeve të reja të punës, strukturën dhe zhvillimin e sektorit privat. Gjatë këtij hulumtimi është kuptuar që një pjesë e konsiderueshme e bizneseve që udhëhiqen nga një person dhe ndërmarrjet mikro e shpjegojnë situatën e tyre “mundohen për të mbijetuar”.

Kjo konferencë u hap nga Christian Geosits, Drejtor i Zyrës, Agjencia Austriake për Zhvillim i cili potencoi rëndësinë e bërjes së këtij hulumtimi dhe përdorimin e këtyre të dhënave për zhvillimin e politikave të mëtutjeshme. Anëtarë të panelit të kësaj konference ishin Valdrin Lluka, Kryeshef i Agjencisë KIESA; Thomas Oberholzner, KOSME, Behxhet Haliti, Drejtor i Përgjithshëm, Administrata Tatimore e Kosovës i cili potencoi që “ky hulumtim i ka shtuar një vlerë të shtuar punës momentale të Administratës Tatimore të Kosovës, e cila është e fokusuar në ndërtimin e proceseve për lehtësira për bizneset”. Mbi të gjitha, Haliti, ceku programet e planifikuara për vitin 2015, të cilat do të krijojnë lehtësira të reja për bizneset.

Anëtarë tjerë të panelit ishin: Safet Gërxhaliu, Kryetar, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë. Pjesëtar të kësaj konference ishin bizneset, përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme donatore.

Së fundi, kjo konferencë rezultoi në përfundimet së pari që qasja në financa mbetet një ndër sfidat kryesore të NVM-ve; së dyti, fokusi duhet të jetë në krijimin e politikave për mbështetjen e eksportit dhe së treti, ndërmarrësia tek femrat nuk është e zhvilluar mirë dhe është e fokusuar në disa industri specifike si dhe zakonisht femrat janë ato që janë pronaret e vetme në biznese. /Telegrafi/

Exit mobile version