Site icon Telegrafi

Bizneset kosovare në hall nga ryshfeti

Nuk kryhet punë pa ryshfet. Marrja e tenderëve, punësimet, avancimet e madje edhe funksionimi i papenguar i biznesit ka një kosto.

Kjo është përshtypja e krijuar për Kosovën nga qytetarët dhe bizneset për gati një dekadë nga shpallja e pavarësisë.

Në një raport që pati publikuar vjet Zyra Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim në Vjenë, i kryer me biznese kosovare, kishte nxjerr të dhëna të frikshme lidhur me mënyrën kriminale sesi fitohen tenderët në Kosovë.

Në këtë hulumtim afro 100 biznese nga të gjitha qytetet e Kosovës, ishin deklaruar se janë detyruar të paguajnë mesatarisht nga 1 mijë euro për favore të ndryshme nga institucionet dhe zyrtarët publik. Qoftë kjo për t’i përshpejtuar procedurat lidhur me biznesin, marrja e një trajtimi më të mirë dhe mundësimi i finalizimit të procedurave në tenderë.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës del se shumë pak nga ata që paguajnë mito raportojnë në institucionet kompetente.

Numri i personave që janë evidentuar nga Policia si marrës të ryshfetit për dy vite është 28.

“Duke ju referuar të dhënave policore, për marrje të ryshfetit në vitin 2016 kanë qenë 17 ankesa, ndërsa deri më 6 nëntor të këtij viti kanë qenë 11 ankesa”, kanë thënë nga zyra e informimit e Policisë së Kosovës.

Ata nuk japin të dhëna për profilin e ryshfetmarrësve, por thonë se kanë ndërmarrë veprime konkrete për parandalimin e kësaj dukurie, si dhe kanë arrestuar edhe persona të dyshuar që kanë qenë të përfshirë në raste të tilla.

“Rastet e natyrave te tilla pavarësisht a iniciohen nga zyrtarët kompetent, palë të ndryshme ankuese apo të tjerë policia i trajton me seriozitet të madh dhe veprime ligjore ndërmerren ndaj kryesve te veprave te tilla pavarësisht rolit dhe funksionit të tyre”.

Në bazë të nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personat zyrtarë që marrin ryshfet qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, i pret dënimi prej gjashtë muaj deri në 8 vite burg, si dhe gjoba deri në 15 mijë euro.

Bizneset në hall nga haraqi

Dy zyrtarët më të përfolur viteve të fundit për zhvatje të bizneseve në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, janë Rrustem Mustafa e Latif Gashi.

Kështu i kishte akuzuar, përfaqësuesi i markës sportive “Asiks” Eroll Vitaku.

Vitaku është njëri nga dhjetëra afarist kosovarë, i cili ka pranuar publikisht se për vite të tëra ka paguar haraq që të ushtroj aktivitetet në biznesin e tij pa pengesa.

Se ka shumë biznese që detyrohen të paguajnë shuma të mëdha parash për të zhvilluar afarizëm në vend, këtë e kishin konfirmuar edhe institucionet e sigurisë në vend.

Misioni Evropian për Rend dhe Ligj EULEX vitin e kaluar ka bërë të ditur se është duke i hetuar 13 raste të tilla.

Gazeta ka kontaktuar edhe me EULEX-in për të marrë të dhëna se sa është numri i personave që dyshohen për haraq gjatë këtij viti, por nuk ka marrë përgjigje.

Të alarmuar për këtë dukuri, ishin shprehur përfaqasuesit e komunitetit të biznesit.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërgjaliu thotë se deklaratat e afaristëve për haraçin janë shqetësuese dhe dëmtohet ambienti i të bërit biznes në vend.

“Kjo tregon për pasiguri për të bërë biznes në Kosovë, e cila duhet të zgjidhet sa më shpejtë”, thotë Gërgjaliu.

Një nga investitorët që pati denoncuar zhvatjen në Pejë është, Selatin Balkan, të cilit persona të njohur për policinë dhe institucionet e rendit i kërkuan 300 mijë euro haraç për të filluar biznesin në këtë qytet.

Rruga për ta fituar një tender

E ryshfeti në Kosovë mbetet alternativë për tu fituar tenderët. Në një raport që pati publikuar  Zyra Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim në Vjenë, i kryer me biznese kosovare, kishte nxjerr të dhëna të frikshme lidhur me mënyrën kriminale sesi fitohen tenderët në Kosovë.

Hulumtimi i cili quhet “Biznesi, Korrupsioni dhe Krimi në Kosovë: Ndikimi i ryshfetit dhe i krimit në ndërmarrjet private”, përfshin periudhën e vitit 2013 dhe është publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Në këtë hulumtim afro 100 biznese nga të gjitha qytetet e Kosovës, ishin deklaruar se janë detyruar të japin për favore të ndryshme nga institucionet dhe zyrtarët publik.

Qoftë kjo për t’i përshpejtuar procedurat lidhur me biznesin, marrja e një trajtimi më të mirë dhe mundësimi i finalizimit të procedurave në tenderë.

Nga hulumtimi ka dalë se një biznes në Kosovë paguan mesatarisht rreth 1 mijë euro ryshfet për të pranuar favore të ndryshme nga institucionet publike. Një përqindje e konsiderueshme e bizneseve iu paguajnë ryshfet zyrtarëve publikë, në mënyrë të përsëritur, gjatë gjithë vitit.

Më të prekurit nga kjo dukuri janë bizneset, në sektorët e prodhimit industrial, të furnizimit me energji elektrike, gaz dhe ujë, të pasuar nga bizneset në sektorin e tregtisë me shumicë dhe të tregtisë me pakicë, shkruan Gazeta Fjala.

“Zyrtarët publikë, me rrezik më të lartë të ryshfetit në bashkëveprim me bizneset, janë zyrtarët e doganave, zyrtarët tatimorë/të hyrave, zyrtarët komunalë ose provincial”, thuhet në hulumtim.

Kur është në pyetje sigurimi i një favori, krahas parave të gatshme, bizneset janë të detyruara të shkojnë deri atje sa të ofrojnë madje edhe gjëra ushqimore e pije të ndryshme.

Hulumtimi tregon se një përqindje e konsiderueshme e gjithë ryshfetit, që u është paguar zyrtarëve publikë, nga bizneset në Kosovë, është paguar në para të gatshme (59.2 për qind), pasuar me sigurimin e ushqimit dhe pijeve, në këmbim të një “favori” të paligjshëm nga ana e zyrtarit publik (58.4 për qind) dhe të mira ose përfitime të tjera (12.1 për qind).

“Kur ryshfeti është paguar me para të gatshme, shuma mesatare e paguar për ryshfet është 844 Euro”.

Ndërsa sa i përket asaj se cila palë, në fakt e inicion çështjen e ryshfetit, në rreth 38 për qind të të gjitha rasteve, pagesa e ryshfetit është ofruar nga një përfaqësues i biznesit, pa bërë një kërkesë paraprake, shkruan Gazeta Fjala.

Format e ryshfetit

Hulumtimi analizon edhe format e pagesës së ryshfetit. Të dhënat tregojnë se zyrtarët publikë, të cilët në mënyrë direkte kërkojnë ryshfet, shpesh atë e bëjnë në formën e pagesave me para të gatshme.

Ndërsa, bizneset që iu ofrojnë ryshfet zyrtarëve publikë mund të dëshirojnë të shikojnë gjetjen e alternativave, më pak të kushtueshme, që lidhen me aktivitetet e rregullta të biznesit të tyre, të tilla si: ofrimi i ushqimit dhe pijeve (kur është fjala për sektorin e akomodimit dhe të ushqimit) ose të llojeve të tjera të mallrave dhe shërbimeve (veçanërisht në tregtinë me pakicë dhe shumicë).

“Të dhënat tregojnë se në shtatë prej dhjetë rasteve të ryshfetit 72.8 për qind, në të cilin është kërkuar ryshfet (qoftë në mënyrë eksplicite, implicite ose nëpërmjet një pale të tretë), pagesa është bërë në para të gatshme”, thuhet në hulumtim. /Gazeta Fjala/

Exit mobile version