Bizneset kosovare të turizmit të aventurës kanë kërkuar që autoritetet të hapin zonën e gjelbër të kufirit me Shqipërinë dhe Malin e zi që nënkupton mundësinë e kalimit të kufirit gjatë turave të bjeshkatarisë në mes të këtyre tri shteteve.
Në një forum të mbështetur nga fondet e Qeverisë Zvicerane përmes OJQ-së Swisscontact dhe Odës Ekonomike të Kosovës profesionistë të turizmit u mblodhën të diskutojnë turizmin dhe ndikimin e COVID-19 në këtë biznes, në zyrat e Odës Ekonomike të Kosovës.
Virtyt Gacaferri, drejtues i Balkan Natural Adventure në takim tha se nga autoritetet presin “hapjen e zonës së gjelbër me Shqipërinë e Malin e Zi, botimin e informacioneve rreth rregullave të COVID-19 në shqip dhe anglisht nga vendimmarrësit dhe vazhdimin e subvencionimit të pagave deri në stabilizim të situatës”.
Këto kërkesa u përsëritën edhe nga kompani të tjera. Gjithashtu u nxit edhe Oda Ekonomike që të mos humb kohë në përpilime të raporteve të gjata por kërkesat të adresohen sa më shpejtë, drejtpërdrejtë dhe në medie sociale.
Në Kosovë operojnë mbi 10 tur operatorë të cilët së bashku realizojnë̈ miliona euro eksport, duke shitur pako të bjeshkatarisë për turistë të huaj. Shumica e këtyre paketave janë rajonale dhe përfshijnë kalimin e kufirit në këmbë.
Mali i Zi dhe Shqipëria tashmë kanë hapur zonën e gjelbër dhe mosaktiviteti i Ministrisë̈ së Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë do të lë Kosovën prapa në këtë përpjekje. /Telegrafi/