Bizneset prodhuese në Kosovë vazhdojnë të përballen me furnizim jo të rregullt me energji elektrike.
Në vit, sipas hulumtimeve të bëra, humbjet ekonomike për shkak të furnizimit të pasigurt me energji elektrike thuhet se shkojnë deri në 300 milionë euro në vit.
Disa nga bizneset prodhuese kanë bërë investime vetanake, kryesisht kanë blerë gjeneratorë si dhe kanë bërë investime në ndërtimin e lartëpërçuesve për të pasur furnizim të rregullt me energji elektrike.
Sipas një hulumtimi të Odës Ekonomike të Kosovës për një vit kostot shtesë nga investimet që bizneset bëjnë për të pasur furnizim të rregullt me energji elektrike, shkojnë deri në 300 milionë euro.
Kompania Pestova, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, për t’iu ikur problemeve të mungesës së energjisë elektrike, kohë më parë kishte ndërtuar një lartëpërçues.
Pronari i kësaj kompanie, Bedri Kosumi tregon për Radion Evropë e Lirë se të gjitha këto investime për të hyrë në kategorinë A plus, që nënkupton furnizim pa ndërprerje me energji elektrike, ka shpenzuar deri në 243 mijë euro.
“Me këto investime të bëra tani kemi furnizim të rregullt me energji elektrike. Ne jemi në kategorinë A plus dhe parapaguajmë 25 për qind të energjisë së harxhuar në vit, pra 25 për qind e parave janë të bllokuara. Nëse nuk do të ishim në këtë kategori do të ishte e pamundur të mendohet të punohet me furnizim jostabil me energji elektrike. Një ndërprerje e paparalajmëruar e energjisë shkakton dëme të mëdha të makinerisë me të cilën punohet”, thotë Kosumi.
Kosova përgjatë viteve është duke u ballafaquar me furnizim jostabil me energji energjike.
Ndërprerjet e kohëpaskohshme të energjisë elektrike paralajmërohen përmes njoftimeve zyrtare nga Distribucioni i Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS). Aty tregohet për kohën dhe regjionet se kur do të ndërpritet energjia elektrike.
Si arsye kryesore e mungesës se këtij produkti në Kosovë vazhdimisht theksohet vjetërsia e termocentraleve në Kosovës. Termocentrali A daton që nga vitet e 60-ta, ndërsa termocentrali Kosova B nga vitet 80-ta.
Kjo mungesë e energjisë elektrike është një problem mjaft shqetësues për bizneset prodhuese, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha.
“Furnizimi jo i rregullt me energji elektrike dhe jokonsistenca në kualitetin e energjisë, po shkakton probleme të mëdha te prodhuesit. Një raport që është publikuar nga USAID tregon që humbjet nga energjia elektrike për prodhuesit në Kosovë, që sillen rreth 300 milionë euro në vit, që nënkupton nëse marrim parasysh eksportet tona janë diku rreth 300 milionë euro, atëherë çdo euro që e ftojnë prodhuesit nga eksportet duhet ta shpenzojnë për të mbuluar koston e humbjes nga energjia elektrike”, tha Panxha.
Pasiguria me furnizim me energji elektrike, shton Panxha, është një nga kufizimet kyçe për zhvillimin e sektorit prodhuese në Kosovë.
“Mungesa e energjisë elektrike po shkakton probleme të mëdha edhe në konkurueshmërinë e produkteve të Kosovës sepse me një kosto të lartë të energjisë elektrike nuk mund të jesh konkurrent në treg me produktet që vinë nga rajoni apo Bashkimi Evropian”, tha Panxha.
Ndryshe, pas më shumë se një dekadë përgatitjesh në fund të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës kishte arritur të nënshkruajë marrëveshjen komerciale më kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Ky termocentral thuhet se garanton pavarësi energjetike dhe siguri të vazhdueshme me energji elektrike. Termocentralit “Kosova e Re”, parashikohet të vihet në punë në vitin 2023. /Rel/Telegrafi/