Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka bërë bashkë të enjten, në një takim komunitetin e biznesit të Ferizajt dhe drejtuesit e pushtetit lokal, në të cilin është biseduar për problemet dhe sfidat nëpër të cilat po kalojnë bizneset e komunës.
Kryetari i OEAK-së, Arian Zeka, ka thënë se në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes një rol të rëndësishëm mund ta luajnë edhe komunat. “Gjithmonë faji ju vihet institucioneve qendrore, ato kanë rol primar ngase shumica e ligjeve natyrisht implementohen nga ministritë e ndryshme. Në përmirësimin e kushteve tuaja, si bartës të zhvillimit ekonomik të vendit, një rol shumë të rëndësishëm e kanë edhe kryetarët dhe natyrisht e tërë administrata komunale”, theksoi Zeka.
Sipas drejtuesit të OEAK-së, rajoni i Ferizajt ka një potencial të fuqishëm të bizneseve, andaj përmirësimi i ambientit do të ndikoj edhe në përfitimet që do të ketë komuna dhe qytetarët e saj.
Në cilësinë e nikoqirit, kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, është të ndalur tek roli i pushtetit vendor karshi bizneseve, duke vënë në dukje faktin se bashkëpunimi i ngushtë me bizneset, përbën një levë të rëndësishme zhvillimore, në kuptimin e ofrimit të lehtësive dhe shërbimeve që do të mundësonin përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të të bërit biznes.
“Me zhvillimin e politikave transparente të qeverisjes dhe me vendosjen e sundimit të ligjshmërisë në bazën e qeverisjes lokale, komuna do të japë kontributin e saj në përmirësimin e ambientit biznesor. Cilësia e shërbimeve publike dhe administrata funksionale, është një synim tjetër, në të mirë të të gjithë qytetarëve, veçmas të atyre që bëjnë biznes. Thjeshtësimi i procedurave për regjistrimin dhe për komunikimin e administratës me bizneset paraqet një aspekt të angazhimit tonë, për të cilin bëhen përpjekje në vazhdimësi” ka thënë Svarqa.
Në këtë takim i pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka kërkuar që në rajonin e Ferizajt hapët një zonë doganore. Ai këtë kërkesë e ka arsyetuar me faktin se Ferizaj ka resurse të bollshme materiale e humane për ta gëzuar këtë privilegj. “Para Ferizajt asnjë qytet i Kosovës nuk mund të shpallet zonë doganore, ne kemi pozitën e mirë gjeografike, biznese të fuqishmedhe resurse humane të bollshme”, ka thënë Svarqa.
Gjatë debatit që u zhvilluar, përfaqësuesit e bizneseve ngritën një mori shqetësimesh, por që shumica prej tyre lidheshin me kompetencat e pushtetit qendror.
Problemi i TVSH-së, vonesave doganore dhe problemi i rrymës, ishin disa prej shqetësimeve që u apostrofuan nga bizneset. Ibrahim Bucaliu, nga Kompania “HIB-Petrol” theksoi se politika duhet të jetë sa më larg bizneseve, ndërsa Njazi Musliu nga Kompania “Eurometal” ngriti problemin e rrymës, ujit dhe kanalizimit në zonën industriale të Babushit.
Ndryshe, u tha se komuna e Ferizajt do të ofrojë në vazhdimësi mbështetje për kërkesat e të gjithë atyre që kanë për synim themelimin, rritjen e zgjerimin e ndërmarrjeve, sidomos të atyre prodhuese, me qëllim të stimulimit, lehtësimit dhe zhvillimit sa më të hovshëm ekonomik. /Telegrafi/