Kështu thanë drejtues të Bordit Kosovar mbi raportimin financiar gjatë seminarit me përfaqësues të biznesit në Prishtinë rreth Prezantimit të të gjeturave mbi rishqyrtimin e sigurimit të cilësisë së raportimit financiar, që u organizua nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe e mbështetur nga Komisioni Evropian.
Në këtë seminar është vlerësuar, se në Kosovë ekziston nivel i ultë i raportimit financiar dhe pasqyrat financiare që bizneset i dorëzojnë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në të shumtën e rasteve nuk janë sipas standardeve të raportimit financiar.
Kryetari i Bordit Kosovar mbi raportimin financiar, Fatmir Gashi me këtë rast u shpreh, se bordi ka krijuar standarde të kontabilitetit dhe të auditimit, në përputhje me ato që përdoren në Evropë dhe në botë, përmes të cilave synon ta rrisë cilësinë e raportimit financiar.
"Bordi Kosovar mbi Standardet për Raportim Financiar, në bashkëpunim me Bankën Qendrore dhe Shoqatën e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Kosovës, kanë bërë një anketim rreth raportimit financiar. Nga 36 kompani të përzgjedhura, vetëm 20 prej tyre i kanë dorëzuar pasqyrat".
Ndërmarrjet e mëdha, me qarkullim vjetor mbi 3 milionë euro, mjete themelore mbi 2 milionë dhe mbi 200 të punësuar, janë të obliguara të dorëzojnë raportet financiare sipas standardeve ndërkombëtare. /Telegrafi/