Vendkalimi ilegal në Bit Pazar, i cili është edhe më i frekuentuar se dy vendkalimet që ndodhen pranë tij ku ka vija të bardha, duket se edhe për një kohë të gjatë do të jetë mundësi për kalimin e nxituar të qytetarëve nga njëra anë e bulevardit në tjetrën. Pavarësisht se me Qytetin e Shkupit tani drejton një tjetër emër, përsëri nga ky institucion nuk shihet në horizont ndonjë shpresë se problemi në fjalë do të zgjidhet së shpejti.
“Për kalimet ilegale ne nuk kemi kompetenca, por do të duhej të shqiptohen sanksione përderisa dikush ka lejuar diçka të hapet kalim i tillë dhe i njëjti të shfrytëzohet. Kjo është punë e MPB-së. Mbikalimi e di që është jofunksional, ai nuk ka kaluar në Këshillin e Qytetit të Shkupit. Qytetarët nuk e shfrytëzojnë, sepse nuk është funksional. Tek ne Qytet po punohet në zgjidhje serioze “, tha Danella Arsovska- kryetare e Qytetit të Shkupit.
Nga Komuna e Çairit thonë se për bulevardet është kompetent Qyteti i Shkupit, ndërsa shtojnë se ky vendkalim ka qenë legal në të kaluarën, por se me ndryshimin e regjimit për komunikacion janë bërë vendkalime të reja, ndërsa i vjetri nuk është mbyllur. Zëdhënësi i Çairit, Fari Hiseni, rikujton se kur Qyteti Shkupit tentoi të mbyllë vendkalimin, tregtarët u ngritën në protestë.
“Në atë kohë ka pasur një marrëveshje të përkohshme, që ai vendkalim të shfrytëzohet edhe pse është jo legal, të shfrytëzohet deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problem. Siç e përmende ka kaluar kohë pak më e gjatë dhe ende një zgjidhje konkrete nuk ka për atë vend”, deklaroi Fari Hiseni- Zëdhënës i Komunës së Çairit.
Mbkalimi i ngjan një banjoje publike të improvizuar. Të vetmit që kaluan atje gjatë kohës që ishim në terren ishin dy turistë, të cilët ishin befasuar nga gjendja skandaloze e mbikalimit, madje edhe ironizuan me të. Qytetarët thonë se për ta është mundim të ngjisin aq shumë shkallë të ngarkuar me torbat e mbushura me produktet që kanë blerë në treg, ndërsa ashensorët e mbikalimit u bënë vite që janë jashtë funksionit.
“Është si dhomë gjumi. Keq, shumë keq.”, u shpreh një turist.
“Përse nuk kaloj atje lart? Epo, të gjithë kalojnë këtu, këtu kalova edhe unë. Nuk mund të ngjitem deri atje më dhembin këmbët.”, tha një qytetar.
“Mbikalimin? Jo, jo, nuk e shfrytëzoj. Un nuk mund të ngjitem lart, më merren mendtë.”, tha një qytetare.
“Tani më dhemb shpina, prandaj nuk mund të ngjitem. Është pake vështirë të ngjitësh deri atje, por punë zori, duhet.”, tha një qytetar.
“E kam shumë të vështirë të ngjitem. Nuk mundem të ec, me këmbën kam vështirësi, jam operuar. Shkallët janë të rrezikshme, mund të rrëzohem.”, u shpreh tha një qytetare.
Në vitin 2019 Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Çairit shihnin anë të ndryshme të medaljes. Për kryetarin e atëhershëm të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, qytetarët përdorin vendkalimin ilegal, sepse mbikalimi është në gjendje të keqe.
Për komunë e Çairit qytetarët do të përdornin urën, sikur vendkalimi të ishte mbyllur. Vendkalimi në fjalë është ilegal dhe gjatë këtyre viteve ka pasur disa aksidente nga të cilat për fat të keq janë regjistruar edhe viktima./Alsat.mk