Konsumi i përgjithshëm i gazit natyror gjatë vitit të kaluar është rritur për 12,5% në krahasim me vitin 2019. Gjithsej 471 konsumatorë, prej të cilëve 340 janë amvisëri kanë konsumuar më shumë se 338 milionë metër kub normalë në vitin 2020 – tregojnë analizat e Komisionit Rregullator të Energjetikës dhe të Shërbimeve të Ujit.
Centrali elektrik-ngrohtorja e gazit SHA Te-To Shkup, mbetet konsumatori dominues i gazit natyror me rreth 68% të konsumit të përgjithshëm vjetor në nivel të shtetit. I dyti në listën e metër kubëve normalë të konsumuar është Prodhimi i ngrohjes Balkan Enerxhi SHPKNJP, pas së cilit vjen Makstil dhe CEMV filiali Energetika.
“Nga viti në vit, konsumi i gazit natyror po rritet, që është tregues se në aspektin ekonomik gazi është burimi më i mirë i energjisë, por edhe ekologjikisht më i miri. Numrat në sektorin energjetik janë jotipikë në vitin që e shënoi pandemia me Kovid 19 kur është në pyetje konsumi i gazit natyror. Të dhënat tregojnë konsum të rritur të gazit natyror tek industria e përgjithshme për 43 %, ndërsa nga ana tjetër për 11 % është ulur konsumi te industria e metaleve, konsum më të ulët gjatë vitit të kaluar ka te Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale për 16 %. Konsum të rritur ka te spitalet, të cilat furnizohen me gaz natyror, edhe atë përafërsisht për 8%, gjithashtu rritje ka edhe te prodhimi i energjisë termike, ndërsa konsumi tek institucionet publike dhe tek industria ushqimore mbetet stabil”, tha Bislimovski.
NP Strumica Gas, përmes sistemit të saj të ashtuquajtur sistem virtual, gjatë vitit të kaluar ka shpërndarë më shumë se 709.100 nm3 gaz, që është për 5% më shumë se viti 2019. Rritje me një intenzitet më të ulët ka edhe te NP Kumanovo Gas, i cili gjatë vitit të kaluar ka regjistruar rreth 541.000 metër kubë normalë të gazit të dërguar.
Në vitin 2020 ka 53 lidhje të reja të kategorisë së amvisërive, ndërsa në vitin 2019 janë regjistruar vetëm 14 lidhje të reja.
Përndryshe nga 1 janari 2021 në fuqi është vendimi i Komisionit Rregullator të Energjetikës dhe të Shërbimeve të Ujit, me të cilin është ulur tarifa e transmetimit të gazit natyror mesatarisht për 6,16 %.