Site icon Telegrafi

Bislimoski: Deri në fund të këtij muaji do të marrim vendim për çmimin e ngrohjes qendrore

Komisioni rregullator për energjetikë (KRRE) deri në fund të muajit do të marrë vendim për çmimin e ngrohjes qendrore në Shkup që do të vlejë nga muaji i ardhshëm, konfirmoi për AIM kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski.

“Kemi mbajtur takim me tri kompanitë shtetërore të EMV-së për prodhimin, shpërndarjen dhe furnizimin me energji termike, të cilët kanë raportuar se si po shkon fillimi i sezonit të ngrohjes dhe cilat janë sfidat me të cilat po përballen në këto 10 ditë. Edhe pse është fakt që temperaturat janë më të ngrohta se sa pritej, megjithatë në çdo sezon ngrohjeje ka pika të dobëta që janë të natyrës teknike, e disa prej tyre janë edhe për shkak të faktorit njerëzor, përkatësisht nuk janë paguar faturat për energjinë e konsumuar nga ana e këshillave të ndërtesave. Por këto janë probleme tradicionale që ndodhin dhe duhet të zvogëlohen nga viti në vit duke rritur vetëdijen si te operatori ashtu edhe te konsumatorët”, tha Bislimoski.

Ai theksoi se më herët BEG, ndërsa tani edhe EMV distribucioni i ngrohjes është përballur me një situatë specifike ku ekipet nuk janë lejuar të përdorin një pjesë të infrastrukturës me të cilën me energji termike furnizohen përdorues të caktuar të Vodnos.

“Ka procedura të duhura ligjore për këtë. Por, për momentin problemi është zgjidhur dhe furnizimi po shkon pa probleme”, tha Bislimoski.

Siç theksoi ai, tashmë në terren kanë filluar aktivitetet për vendosjen e tubit të ngrohjes nën urën “Belasica” në Shkup që ishte i djegur, me çka, siç tha, plotësohen parakushtet që KRRE i kërkon katër muaj – për të filluar në terren me sanim real të tubacioneve nga EMV me leje nga Qyteti i Shkupit.

Exit mobile version