Site icon Telegrafi

Bislimi i LDK-së: Amerika ka investuar shumë në Kosovë, nuk lejon që marrëveshja të shkojë në dëm tonin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi është shprehur i bindur se marrëveshja me Serbinë ndikon mirë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Bislimi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se dialogu me Serbinë është një temë shumë e rëndësishme që do të duhej që të merrnin pjesë të gjitha partitë në takimin e ftuar nga kryeministri Hoti.

“Interesi ynë primarë është që të mbyllim dialogun me Serbinë. Është koha që të përfundojë ky proces”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Deputeti i LDK-së thotë se Vetëvendosje dhe PDK mund të kontribuojnë mjaft në dialog.

“Në fund të fundit marrëveshja nuk do të jetë e qeverisë por e Republikës së Kosovës dhe ajo marrëveshje do të jetë në tavolinat e deputetëve dhe deshëm apo jo ne në fund të ditës të gjithë do të jenë përgjegjës për vendimin final”.

Bislimi thotë se është barrë e deputetëve nëse votojnë një marrëveshje që nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Ai thotë se qytetarët janë lodhur nga debatet politike në kohën kur politika nuk po jep zgjedhje për problemet ekonomike.

“Marrëveshja me Serbinë do t’i hapë rrugë zhvillimit të hovshëm ekonomik të vendit tonë. Besoj fuqishëm se kjo marrëveshje në asnjë shkronjë nuk do të jetë kundër interesit të Kosovës kur dihet se gardian i saj është SHBA. Ata kanë investuar shumë në këtë republikë dhe nuk ka asnjë logjikë që të mbështesin një marrëveshje të dëmshme për Kosovën”, tha ndër të tjera Faton Bislimi/Telegrafi/

Exit mobile version