Site icon Telegrafi

Bislimi kërkon me urgjencë zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se zbatimi i Udhërrëfyesit për Marrëveshjen për Energjinë është çështje urgjente.

Në Twitter ai ka shkruar se mospagesa nxit veprimtaritë kriminale në kosto të taksapaguesve dhe mjedisit.

“Kosova vazhdimisht ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka zbatuar të gjitha detyrimet. Ne presim dhe kërkojmë të njëjtën gjë nga pala tjetër”, ka thënë Bislmi.

Kosova dhe Serbia më 21 qershor të vitit 2022 kanë nënshkruar udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Lexo po ashtu Marrëveshja për Energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – këto janë pikat e arritura

Me këtë marrëveshje synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Që nga viti 2017 e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës është paguar nga Qeveria e Kosovës dhe nga KOSTT-i.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.

Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa më pas është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe KOSTT-i. Telegrafi/

Exit mobile version