Edhe krahas paralajmërimeve, gjatë fundjavës nuk vazhduan bisedimet mes grupeve të punës të pushtetit dhe opozitës për Ligjin për Prokurorinë Publike me të cilën duhet të zgjidhet statusi i ardhshëm i Prokurorisë Speciale Publike (PSP).
Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska lidhur me 65 amendamentet të cilat i dorëzoi opozitarja OBRM-PDUKM për Ligjin për Prokurorinë Publike ka deklaruar se qëllimi është të shkatërrojnë PSP-në dhe të ndalojnë me procedurat, përcjell Telegrafi Maqedoni nga AIM.
“Me ato amendamente shkatërrohet PSP-ja, shkatërrohen hetimet dhe procedurat të cilat i ka marrë PSP-ja. Ato nuk janë amendamente të cilët mund të përmirësojnë tekstin”, tha Deskoska për TV21.
Ajo shtoi se nuk është optimiste se do të arrihet marrëveshje me OBRM-PDUKM-në.
Ndërsa zëdhënësi i OBRM-PDUKM-së Naum Stoillkovski dje në pyetjen e gazetarëve nëse do të ketë takime të grupeve të punës lidhur me ndryshimet në Ligjin për Prokurorinë Publike, ka deklaruar se takimin duhet ta caktojë Ministria e Drejtësisë, ose ministrja Deskoska.
“Me sa e di është lënë periudhë për konsultime brendapartiake pas së cilës do të pasojë takim i ri i grupeve të punës”, ka thënë Stoillkovski.
Zëvendëskryeministri për Çështje evropiane Bujar Osmani tha se nuk është përcaktuar data konkrete për rutën e katërt formale të negociatave midis partive politike për Ligjin e ri për Prokurorinë Publike me të cilin duhet të zgjidhet statusi i ri i Prokurorisë Publike Speciale, megjithatë komunikime joformale ka çdo ditë. Sipas tij, akoma ka hapësirë që të gjendet zgjidhje e cila do t’i kënaqte të gjitha palët dhe të sillet ky ligj me konsensus.
Lidhur korrespondencën e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi dhe ministres së Drejtësisë, Renata Deskoska, Osmani tha se Xhaferi absolutisht ka të drejtë kur thotë se vetëm Kuvendi është ai që mund ta diktojë dinamikën e Dhomës Ligjvënëse.
Ndryshe, Ligji për Prokurorinë Publike miratohet me dy të tretat e shumicës dhe është një nga kushtet për marrjen e datës për hapjen e bisedimeve me BE-në./Telegrafi/