Bisedimet për të arritur një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit janë 90% të përfunduara, por ende ka çështje të papërfunduara, ka njoftuar një zyrtar i lartë palestinez i përfshirë në bisedime.
Bëhet e ditur se një nga pikat kryesore të pengesave është prania e vazhdueshme ushtarake izraelite në korridorin e Filadelfit, një brez toke me rëndësi strategjike në Gazën jugore përgjatë kufirit me Egjiptin.
Zyrtari palestinez ndau detaje të diskutimeve që po zhvillohen në Doha, të cilat përfshijnë krijimin e mundshëm të një zone tampon disa kilometra të gjerë përgjatë gjatësisë së kufirit të Izraelit me Gazën.
Sipas zyrtarit, Izraeli do të mbajë një prani ushtarake brenda kësaj zone, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Por, raportohet se me zgjidhjen e këtyre çështjeve, një armëpushim me tre faza mund të arrihet brenda ditëve.
Marrëveshja do të përfshinte edhe shkëmbimin e të burgosurve.
Në fazën përfundimtare të planit trefazor, i cili do të shihte fundin e luftës 14-mujore, Gaza do të mbikëqyrej nga një komitet teknokratësh nga enklava, të cilët nuk do të kishin lidhje të mëparshme politike, por do të kishin mbështetjen e të gjithëve.
Ndryshe, në javët e fundit, SHBA, Katari dhe Egjipti kanë rifilluar përpjekjet e tyre ndërmjetësuese dhe kanë raportuar gatishmëri më të madhe nga të dyja palët për të përfunduar një marrëveshje.
Një raund bisedimesh në mes të tetorit dështoi të prodhonte një marrëveshje, me Hamasin që refuzoi një propozim armëpushimi afatshkurtër. /Telegrafi/