Site icon Telegrafi

Bisedimet e klimës përfundojnë me premtimin prej 300 miliardë dollarësh – por shuma vlerësohet si “jashtëzakonisht e pamjaftueshme”

Bota ra dakord për një marrëveshje të re për klimën në COP29 në Baku, Azerbajxhan, të shtunën, me vendet e pasura që zotohen të ofrojnë 300 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2035 për vendet më të varfra.

Kjo do të bëhet për t’i ndihmuar ata të përballen me ndikimet gjithnjë e më katastrofike të krizës klimatike.

Por kjo shifër, nga shumë vende në zhvillim është kritikuar si jashtëzakonisht e pamjaftueshme.

Marrëveshja erdhi pas më shumë se dy javësh negociatash të ashpra, të futura në kaos nga bojkotet, përplasjet politike dhe jo vetëm, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Siç bëhet e ditur më tej, 300 miliardë dollarët do të shkojnë për vendet e cenueshme dhe më të varfra për t’i ndihmuar ata të përballen me motin ekstrem gjithnjë e më shkatërrues dhe për t’i kaluar ekonomitë e tyre drejt energjisë së pastër.

“Ka qenë një udhëtim i vështirë, por ne kemi arritur një marrëveshje”, ka thënë Simon Stiell, kreu i Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike. “Ky synim i ri financiar është një politikë sigurimi për njerëzimin, mes përkeqësimit të ndikimeve klimatike që godasin çdo vend”.

Shuma e premtuar, megjithatë, është shumë më pak se 1.3 trilion dollarë që ekonomistët thonë se është e nevojshme për të ndihmuar vendet në zhvillim të përballen me një krizë klimatike. /Telegrafi/

Exit mobile version