Site icon Telegrafi

Bisedimet e borxhit, s’ka marrëveshje mes Greqisë dhe huadhënësve

Nuk do të ketë marrëveshje mes Greqisë dhe huadhënësve të saj ndërkombëtarë sot, e cila do të zhbllokonte këstin e radhës së kredisë dhe do të mundësonte nisjen e bisedimeve për lehtësimin e borxheve, pavarësisht një lloj progresi që ka shënuar Athina në reformat e kërkuara në këmbim. Kështu kanë deklaruar zyrtarët evropianë dhe ata të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Ne do të diskutojmë sot me Greqinë. Kemi dëgjuar fjalë të mira nga Athina, kështu që le të shohim se ku jemi. Nëse është shënuar progres, atëherë do të nisim diskutimet mbi borxhin, por ne jemi vetëm në fillim të procesit, kështu që nuk pritet marrëveshje sot”, tha kryetari i Ministrave të Financave të Eurozonës Jeroen Dijsselbloem për gazetarët.

“Jam shumë e kënaqur të shoh që është shënuar progres, por gjithsesi ka shumë punë për të bërë. Ne jemi të vendosur të vijojmë punën, nuk jemi ende ku duhet dhe ka një marrëveshje e cila duhet të arrihet për borxhin”, tha shefja e FMN Kristinë Lagarde, transmeton oranews.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Athinës dhe qeverive të eurozonës gushtin e kaluar, paketa e reformave ka për qëllim prodhimin e një suficiti primar prej 3.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2018. Por mosmarrëveshjet mes palëve qëndrojnë tek masat, të cilat përfshijnë pensionet dhe taksat mbi të ardhurat.

Exit mobile version