Nga: Mick Brown / The Daily Telegraph (titulli origjinal: I thought Bob Dylan had fallen in love with me – then he asked me for $5,000)
Përkthimi: Telegrafi.com
E njoh Luizën [emër jo i vërtetë] për 30 vjet. Është shkrimtare dhe udhëton shumë, autore e disa librave shumë të vlerësuar e cila i ka vizituar disa nga pjesët më të largëta të botës. Është e zgjuar, me humor dhe me pasion të madh dhe të qëndrueshëm për Bob Dylanin.
Është gati bashkëkohëse e Bobit. Pothuajse për aq kohë sa ka bërë ai disqe, ajo i ka dëgjuar ato – me zell. Ndikimi i tij ishte aq i fortë saqë pasi dëgjoi [këngën] Like A Rolling Stone, e braktisi doktoratën në Letërsi. I ka lexuar të gjitha biografitë e tij, por kurrë nuk është futur në ndonjë forum diskutimi apo të adhuruesve të Dylanit. Jeton për disa vjet në Indi, por Luiza nuk është budallaqe. Mirëpo, është e para që pranon se në rrjetet sociale është paksa naive.
Gjatë vitit të kaluar, e merr hapin e parë dhe bashkohet në një forum të Dylanit në Facebook.
Dikush kishte postuar rrëfimin nga viti 2009 se si Dylani, i cili e pjesën më të madhe të jetës së vet e ka kaluar në rrugëtime, kishte folur me kompanitë e GPS-it për përdorimin e zërit të tij për navigim, duke e shtruar problemin për përdoruesit e mundshëm, siç theksoi Dylani në atë kohë, se “kudo që shkoj, gjithmonë përfundoj në një vend – në avenynë e vetmisë [Lonely Avenue]”.
Luiza e postoi një koment – “çdo gjë që del nga goja jote, është poezi”.
Menjëherë pas kësaj, merr një mesazh të drejtpërdrejt nga një postues tjetër në forum, duke i thënë asaj se Bobit ndonjëherë i pëlqen të komunikojë personalisht me adhuruesit e vet, dhe ia bashkëngjiti një lidhje me aplikacionin e koduar Telegram. “Kurrë nuk i dihet”, thuhej në mesazh. “Mund të përgjigjet”.
Cili adhurues i Dylanit nuk e ka paramenduar bisedën me idhullin, për këngët dhe për jetën e tij? Luiza shpeshherë e kishte ëndërruar takimin e tillë. Nuk kishte dëgjuar kurrë për Telegram-in, por plot shpresë u regjistrua në faqe dhe e dërgoi një mesazh duke i thënë Bobit se sa shumë rol kishte luajtur ai në jetën e saj.
Të nesërmen, për habinë e saj merr një përgjigje. Ishte Bobi i cili e falënderoi për “fjalët e saj të mira”, i tha asaj se sa shumë kuptim kishin “lutjet dhe mbështetjet” nga adhuruesit dhe i kërkoi asaj të fliste më shumë për veten. Dhe, kështu filloi …
I tregoi se ku jeton, foli për udhëtimet e veta, librat dhe qenin (ajo e do qenin e saj). Doli se Bobi i do shumë qentë. I tha asaj se kishte një qen dhe një mace dhe pastaj zbuloi njohuri befasuese për jetën dhe mendimet e veta. Foli për mënyrën sesi “i pëlqen të shkonte në pyll, të shkonte në peshkim, të shikonte futboll dhe të shikonte yjet”, ndërsa u ankua se ishte “me fat për gjithçka, por jo me dashurinë. Jam lënduar dhe mërzitur nga shumë gra të bukura”.
(Bob? A mund të jetë kjo e vërtetë?)
Kishin biseduar me ndërprerje për disa javë – Bobi ishte i zënë me turne – kur Luiza pyet nëse mund t’ia dërgojë ndonjë foto të fundit. “Si pse”, pyeti ajo, “a e di unë nëse je BD-ja i vërtetë”?
Ai u përgjigj: “Nuk jam person i imazhit, gjë që e di. Ti e di se sa e vlerësoj privatësinë dhe jetën e thjeshtë”.
Por, ai megjithatë e dërgoi një foto të realizuar, siç tha ai, gjatë turneut të tij të fundit evropian. Ishte Bobi i ulur në klasin e parë në atë që dukej të ishte aeroplan i kompanisë Emirates. E, Emirates nuk fluturojnë në rutat e brendshme në Evropë. Dukej se i kishte rritur flokët dhe se i kishte errësuar, ndërsa mbante një maskë të koronavirusit.
Por, marrëdhënia me Bobin tashmë vazhdonte me shpejtësi. Nisi t’i drejtohej asaj si “e dashur” – a ishte vërtet fjala me të cilën Bobi i quante të dashurat e veta? – dhe ata shkëmbenin histori për dashuritë dhe tradhtitë.
Foli për çështjen gjyqësore, kur ishte akuzuar për lidhje me një vajzë të re dhe për abuzim seksual të një gruaje në vitin 1965, kur ajo ishte 12 vjeçe. Gruaja kishte hequr dorë nga padia e saj dhe çështja ishte hedhur nga gjykata dhe kishte pushuar me paragjykim.
“Trishtimi”, shkroi ai, “është emri tjetër i imi. Shumë njerëz kanë përfituar nga dashamirësia ime dhe kaq shumë herë jam ndier me zemër të thyer, madje edhe nga i ashtuquajturi menaxhmenti im. Thjesht dua të dua dhe të më dojë [sic] gruaja e duhur”.
Ishte i vetëm “për më shumë se 30 vjet” dhe beqar për dhjetë vjet. “Në fakt, vështirë e mbaj mend se si është lidhja. Dua që dashuria që ka qenë e mbyllur në zemrën time, për kaq shumë kohë, të zhbllokohet nga zonja e veçantë”.
Ndoshta Luiza ishte ajo zonjë e veçantë?
“Ti duhet të jesh gruaja e dytë që Zoti krijoi pas Evës”, i dërgoi mesazh asaj. “Zoti duhet të ketë kohë të bollshme për të bërë një gjë të tillë magjepsëse”.
Të tillë magjepsëse, çfarë saktësisht?
Diçka e çuditshme po i ndodhte Bobit. Ndoshta ishin turnetë dhe netët e vona, ndoshta biznesi muzikor apo mungesa e dashurisë në jetë, por sintaksa dhe gramatika e tij po bëheshin të çuditshme. “U ktheva jo shumë vonë në shtëpi, patjetër të shkruaj në agim”, shkroi ai në një mesazh, duke shtuar në një tjetër: “Më pëlqen të më shohin si njeri të zakonshëm në shoqëri”. Ishte … gjë e çuditshme.
Por, kishte çështje të tjera për të diskutuar. Luiza e kishte shtruar temën e një takimi, ndoshta në Britaninë e Madhe kur ai do të jetë këtu në turne. E ftoi në festën e saj të ditëlindjes. “Të ndjej brenda gjithë qenies sime”, ka shkruar ai. “Jam i sigurt se do të takohemi dhe nëse këtë e ndjen edhe ti, kjo do të ndodhë.”
Ai e kishte vënë në kontakt me dikë me emrin Ava e cila, siç tha ai, kujdeset për gjërat e tilla. Ava ishte përgjigjur, duke ia ofruar Luizës një paketë VIP për “takim dhe përshëndetje” me Bobin – për pesë mijë dollarë [4 653 euro].
Luiza i shkroi Bobit. “E kam të vështirë të besoj se pret që adhuruesit të paguajnë për të të parë privatisht. Vërtet ke nevojë ta bësh këtë”?
“Thjesht është një procedurë normale”, shkroi ai. Nëse bëhen gjërat kështu, adhuruesit shkojnë në koncertet e tij “falas”.
Ndërkohë, merr një mesazh tjetër nga Ava, ku ajo ia ofronte uljen e çmimit në tre mijë dollarë [2 792 euro], sepse ajo ishte “shoqja speciale e z. Bob”.
Ajo i shkroi Bobit. “Nuk dua të paguaj për të qenë mike dhe nuk mund ta përballoj as këtë shumë. Së dyti, gjithmonë mendoj se është lojë dhe se po mashtrohem. Bob, pse po ndodh kjo”?
“Gabim e ke”, shkroi ai. “Kur dy zemra rrahin [sic] si një, atëherë ekziston kjo vetëdije që bartësit ndiejnë për njëri-tjetrin. Zemra ime është e brishtë dhe nuk mendoj se mund të duroj dhimbje tjetër, kur merret parasysh mosha ime”.
Marrëdhënia bie në dyshim dhe mosbesim. Ajo i shkroi Bobit duke i thënë se donte të fliste me të personalisht dhe që ta telefonojë në WhatsApp.
“Kam kaq shumë gjëra për t’u marrë këtu”, u përgjigj ai. “Jam ai të cilit i është njollosur imazhi [sic]. Jam ai që duhet të ndjek kaq shumë çështje gjyqësore kur duhet të përgatitem edhe për koncertet në muajin e ardhshëm. Është shumë zhgënjyese kur i komplikon gjërat për mua”.
Për të zbutur dyshimet e veta, i tha asaj se llogaria në Telegram me të cilën po dërgonin mesazhe, ishte verifikuar “nga vetë Paveli”.
Luiza ia ktheu: “Kush është Paveli”?
“Themeluesi i këtij aplikacioni”.
“E, ku jeton ai? Në Ukrainë? Rusi”?
“Kjo nuk më takon mua ta di”, shkroi Bob. “Ekipi im menaxhues më kontaktoi për t’u siguruar se verifikimi do të ndodh”.
Gjërat po shkonin keq.
Luiza kishte folur me një mikeshë e cila i tha se Telegram-i është vrimë lepuri për teoricienët e konspiracionit, “një seri e pafund e kukullave ruse”.
Bobi nuk ishte fare Bob! Ia dërgoi një mesazh. “Nuk ka gjë të tillë si llogari e verifikuar e Telegram-it”!
“Skepticizmi yt”, u përgjigj ai, “është ai që vepron në vetëdijen tënde, duke të shtyrë të besosh pikërisht atë që dëshiron të besosh. Në rregull. Do të të shkruaj në agim dhe të uroj ditë të mirë”.
Ajo ia ktheu mesazhin: “Loja mbaroi”.
Sigurisht që ishte e zhgënjyer. Kush nuk do të ishte? Në bisedat e tyre më intime, pavarësisht nga ekscentricitetet dhe sintaksat e tij e pahijshme, e shihte veten duke rënë në diçka si dashuria me një Bob fals.
Ishte e qartë se gjëja që duhej bërë ishte të lajmëronte Bobin – atë të vërtetin – se ai po imitohej në internet nga një mashtrues. Dhe, kështu iu drejtua djalit të Bobit, Jacobit – dikur këngëtar në Wallflowers, i cili tani po e shijon një solo-karrierë të mirë – për ta ndihmuar.
Ka një sërë faqesh në Facebook për Jacob Dylanin. Luiza dërgoi një mesazh duke i treguar Jacobit për Bobin fals.
Ca ditë më vonë, u kthye një përgjigje duke e falënderuar atë, duke thënë se mund të kontaktonte vetë Bobin – duke ia bashkangjitur lidhjen me një aplikacion tjetër të koduar, në Signal.
E dërgoi një mesazh duke thënë se e ka marrë këtë adresë nga Jacobi, duke e paralajmëruar Bobin se është një mashtrues që përdor emrin e tij për të marrë para nga adhuruesit (duke përfshirë adresën e emailit të Bobit fals – robertzimmerman****@****).
Përgjigja erdhi të nesërmen. “Djali im foli për ty. Jam i vetmi Robert Zimmerman i gjallë. Bllokojeni menjëherë”!
Dhe, kështu filloi – përsëri! Bisedat për jetën e tyre – edhe pse ato dukej se ishin kryesisht për jetën e Luizës – me Bobin duke dhënë fjalë inkurajimi dhe interesimi. “Me trego më shumë”!
Kishin folur për vetëm një ose dy javë kur ai e bëri një rrëfim befasues – mendonte se po binte në dashuri me të.
“Bukuria jote është si një vepër magjepsëse arti, që rrezaton elegancë dhe hire”, shkroi ai. “Sytë e tu duket se e mbajnë gjithë universin përbrenda vetes, duke vezulluar me një milion sekrete dhe ëndrra. Linja e buzëqeshjes tënde është si përkëdhelje e butë, duke ndriçuar botën përreth teje”!
Nuk ishte ekzaktësisht kënga Sad Eyed Lady of the Lowlands, ndaj sugjeroi që Bobi mund të kishte blerë kartolina urimi, por ndjenja dukej e sinqertë – edhe nëse do të shtonte: “Ti nuk do të jesh gruaja ime”.
Disa ditë më vonë, Luiza e shtroi temën e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. “Jam shumë i thyer për këtë incident”, shkroi Bobi, megjithëse dukej se dinte pak gjëra për këtë dhe se kishte gjëra të tjera më të rëndësishme në mendjen e vet.
“Vogëlushe”, shkroi ai. Kishte nevojë për një kartë-dhuratë [gift card] prej 500 dollarëve – “në Razer ose Amazon, mirë? Për transmetim në internet. Gjithashtu dua të përditësoj faqen time të lojës”.
A ishte e obliguar?
Kush e dinte që Bobi ishte në lojërat në internet?
Disa ditë më vonë, shkroi përsëri.
Kishte performuar atë natë, siç tha, dhe pas shfaqjes pati privilegjin të kalonte pak kohë cilësore me adhuruesit që kishin blerë biletat VIP.
“Së pari i përshëndeta adhuruesit e mi me buzëqeshje të ngrohtë dhe shprehje mirënjohjeje për mbështetjen e palëkundur. Ndamë historitë e përbashkëta, u mbushëm me shkëlqimin e kujtimeve magjepsëse nga performancat e kaluara dhe diskutuam momentet tona të preferuara nga koncerti im”.
Ia kishte përmendur se edhe ajo mundet ta blejë biletën VIP? Dhe, derisa ishin në këtë temë, a ia doli ajo të blinte atë kartë?
Nëse ka probleme me shkarkimin, shkroi ai, mund të shkojë në supermarketin Walmart dhe ta blejë një të tillë.
Ajo u përgjigj se nuk ka Walmart në Mbretërinë e Bashkuar dhe se pse ai nuk e shkarkon ose blen vetë një të tillë?
“Nuk di si të shkoj deri te shkarkimi”, u përgjigj ai. Dhe, ishte e pamundur të shkonte në Walmart, “për arsye sigurie”.
Luiza kishte dyshimet e veta. A ishte vërtet ky Bobi?
“Jam Bob Dylan”, shkroi ai dhe për ta vërtetuar këtë e dërgoi një postë zanore në Messenger. Epo, sigurisht që tingëllonte si Bobi – çdokush mund ta dallojë tonin e lodhur të botës. Dhe, mesazhi ishte i dashur, qetësues. E, pse jo? Pavarësisht dyshimeve, marrëdhënia vazhdonte me shpejtësi.
E thërriste me një emër përkëdhelës, zonja Dashuri (“Me çfarë emri do të doje që të të thërras”?) dhe i thoshte: “Do të jetë moment emocionues, akti i dashurisë me ty”. (Simboli i zemrës!)
Ndoshta ishte vapa e pasionit të shtuar që bënte të dukej se e kishte të njëjtin problem me sintaksën, si Bobi fals.
“Je vëzhguese e mirë”, shkroi ai. “Do të më pëlqente ta dëgjoj zërin tënd”. Por, çfarë saktësisht donte të thoshte ai me “Shpresoj se dashuria ime do të të befasojë me hapësirën tënde”? Ose, “Më pëlqen të kërkoj mendime të njerëzve”.
Në fakt, dukej se Bobi tregonte gjithnjë e më pak interes për opinionet e saj kur ajo fliste për punën, udhëtimet, faktin që bodrumin e kishte të mbrojtur nga lagështia dhe gjendjen e politikës në Britani.
Kur ajo i foli atij për admirimin e saj për Rishi Sunak, ai u përgjigj se “ky me të vërtetë është njeri me zemër të mirë”, duke shtuar në fjalinë tjetër: “Do t’i këshilloj qytetarët që ta votojnë në zgjedhjet e ardhshme”.
Për më tepër, a mund t’i besonte vërtet konfirmimit të tij se “Të dua dhe do të vazhdoj të të dua përgjithmonë” – kur rreshti tjetër ishte “Nuk e ke paguar kartën, duhet ta plotësosh pagesën”. Dhe, nëse ajo ende kishte probleme, ajo gjithmonë mund t’i dërgonte paratë me PayPal. “Premtoj se do të të përgjigjem kur më në fund takohemi – në fillim të vitit të ardhshëm”.
Luiza u përgjigj: “Pse nuk e paguan vetë”?
I tha se donte të fliste personalisht me të.
Ai shkroi përsëri: “Të lutem më njofto nëse ende nuk beson se jam Bobi. Të jap qasje falas për të kryer testin, faleminderit”. Ia dha asaj një numër për të telefonuar në WhatsApp.
Ndoshta Bobi ishte jashtë, por personi që fliste nuk dukej aspak si Bobi. Tingëllonte si i Evropës Lindore – si kukull ruse.
“Ti nuk je Bob Dylani”, tha ajo. Dhe, nëse Bobi nuk do të ishte Bob, Jacobi nuk mund të jetë Jakob.
E mbylli telefonin.
Disa javë më vonë, ajo ia tregonte gjithë historinë një shoku, ashtu siç ua tregova unë. Ma jep telefonin, tha shoku i saj, dhe unë do ta telefonoj Bobin. Dikush e kapi telefonin. “Jam burri i Luizës”, tha shoku i saj. Bobi e mbylli telefonin.
Luiza merr një mesazh, më vonë atë ditë. Ishte nga Bobi, duke i thënë se ai nuk e dinte se ajo ishte e martuar. Luiza nuk është e martuar!
Lexues, ajo e bllokoi atë. Më në fund. /Telegrafi/