Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut mbrëmë me 77 vota “për” votuan për qeverinë e re, që do të udhëhiqet nga Hristijan Mickoski, ndërsa do ta përbëjnë koalicioni i OBRM-PDUKM-së “Maqedonia jote”, koalicioni shqiptar “VLEN” dhe partia “ZNAM”.
Kryetari i OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski, i cili do ta udhëheqë qeverinë e re, ka lindur në Shkup më 29 shtator 1977.
Mickoski është në krye të OBRM-PDUKM-së që nga dhjetori i vitit 2017, kur drejtimin e partisë e mori pas Nikolla Gruevskit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ka diplomuar, magjistruar dhe doktoruar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Shkup.
Në periudhën 2016-2017 ka qenë drejtor gjeneral dhe kryetar i bordit të SHA “Elektranat e Maqedonisë”, ndërsa nga viti 2015 deri në vitin 2017 ka qenë këshilltar i Presidentit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për energjetikë.
Nga viti 2019 është profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Shkup, ndërsa para kësaj ka qenë profesor jo i rregullt, asistent dhe asistent i ri. Në vitin 2021 dhe 2012 ka punuar në “FONKO klima” si projektuesi kryesor dhe përgjegjës i instalimeve termoteknike.
Ka botuar 35 publikime dhe punime shkencore ndërkombëtare, është autor i rreth tridhjetë aplikacioneve profesionale, si dhe ka marrë pjesë në disa projekte ndërkombëtare, zhvillimore dhe kërkimore shkencore.
Në biografinë e tij Mickoski ka shkruar se ka aftësitë kompjuterike, duke përfshirë AutoCAD, MATLAB/Simulink, Microsoft Visual C++.
Gjuha e tij amtare është maqedonishtja, ndërsa e njeh anglishten dhe italishten./Telegrafi/