Telegrafi

Binjakëzohen Posta e Durrësit me Postën e Prizrenit

7 dhjetor- Me qëllim të shkëmbimit të eksperiencave për realizimin e shërbimeve postare e financiare, rritjes se nivelit të njohjeve konkrete ndërmjet punonjësve si dhe ngritjes së trafikut të shërbimeve reciproke, është nënshkruar Akti i Binjakëzimit në mes të Postës së Durrësit dhe Postës së Prizrenit.

Binjakëzimi i këtyre filialeve postare, parashihet se do të ndikojë në zhvillimin e tregut të shërbimeve të reja postare me interes për qytetarët e dy shteteve.

“Me këtë binjakëzim po krijohet një klimë e ngrohtë mes postave tona, po ndodh një afrim natyral i njerëzve dhe po krijohet një komunitet i vendeve dhe postave që aspirojnë për të qenë anëtarë të komunitetit evropian”, theksoi drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Arqile Gorea, me rastin e nënshkrimit të këtij Akti të Binjakëzimit.

Ndërsa Rafet Jashari, drejtor i Postës së Kosovës, tha se binjakëzimi i Filialit të Postave të Durrësit me ato të Prizrenit do të shërbejë, si mundësi e thellimit të bashkëpunimit, mes dy operatorëve të shërbimeve postare në rajon.

“Ne tash e tutje do të jemi pjesë e projekteve të përbashkëta duke përfituar nga përvoja e postave shqiptare, me ç’rast do të mund të marrim mësime në implementimin e plotë të standardeve evropiane të shërbimeve postare”, deklaroi Jashari, duke falënderuar njëkohësisht Postën Shqiptare, e cila i ka dhuruar 50 biçikleta Postës së Prizrenit.

Në të njëjtën ditë drejtuesit e Postave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë me në krye me drejtorin e Përgjithshëm Ejup Rrustemin, kanë diskutuar për fusha të ndryshme me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit profesional, zhvillimit të numrit të shërbimeve postare dhe formimit të tregut të përbashkët postar në regjion. Shumë shpejt tri Postat rajonale, do t’i unifikojnë politikat e marketingut tregtar, me synimin e vetëm që të ofrojnë shërbime të unifikuara dhe me tarifa preferenciale të bashkëpunimit ndër rajonal dhe kufitar.

Postat e tri vendeve ranë dakord që të emetojnë një pullë të përbashkët në vitin e ardhshëm me rastin e 100 vjetorit të lindjes së “Nënë Terezës”.